Hakmarrja e gjykatës ndaj Hakmarrjes për drejtësi

TIRANË – Pas 12 vjetësh zvarritje, gjykata zgjidhi me dy burgime të përjetshme dhe 177 vite burg procesin gjyqësor ndaj 10 të akuzuarve si pjesëtarë të organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”. Në një seancë maratonë, ditën e djeshme gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Flora Hajredinaj, lexoi vendimin përfundimtar ndaj Orik Shytit, Altin Arapit, Gentian Cakës, Nikolin dhe Pasho Novruzaj, Roland dhe Leart Shytit, Kreshnik Spahiut, Gëzim Gjonit dhe Dritan Hates, të cilët akuzohen për një sërë krimesh të rënda gjatë harkut kohor 1992-1998. Gjykata vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm dy kushërinjtë e afërt, Altin Arapin dhe Orik Shytin, të cilësuar dhe si krerët e organizatës kriminale, së cilës i janë atribuuar një sërë veprash të rënda, si vrasja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, më 26 korrik të vitit 1996, bomba tek supermarketi i “Vefës” më 26 shkurt 1996, apo dhe vepra të tjera, si vrasje, grabitje dhe vjedhje. Në vendimin e saj, gjykata dënoi me nga 25 vjet heqje lirie Gentian Cakën dhe Roland Shytin, ndërsa Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu u dënuan me 24 vjet burg. Me 22 vjet burg u dënua dje Pasho Novruzaj, i cili aktualisht jeton në Holandë, ku ka fituar azilin politik. Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni, të cilët gjatë procesit të zhvilluar në Gjykatën për Krime të Rënda u gjykuan në gjendje të lirë, përkatësisht u dënuan me 23 dhe 10 vjet heqje lirie, çka ishte një dënim me 2 vjet heqje lirie më i lartë se ai që kishin kërkuar rreth një muaj më parë përfaqësuesit e akuzës. Vendimi përfundimtar për të ashtuquajturën organizata më e madhe kriminale u dha në një sallë me kafaze të boshatisur, pasi pjesa më e madhe e të pandehurve kanë fituar azil politik në Holandë, Belgjikë e Zvicër, ndërsa tre prej tyre rezultojnë të jenë në kërkim ndërkombëtar. Pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të të akuzuarve, se prokuroria nuk ka asnjë provë rreth 23 akuzave të ngritura ndaj tyre, gjykata vendosi t’i shpallë fajtorë, duke mbyllur kështu kapitullin 12-vjeçar të proceseve gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve si anëtarë të së ashtuquajturës organizata më e rrezikshme kriminale që ka vepruar në vendin tonë, “kapitull” ky që avokatët mbrojtës e vetë të akuzuarit premtojnë se do ta ndjekin deri në fund, madje edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Reagon Kreshnik Spahiu
“Vendimi për HSH-në, besnikëri ndaj Berishës”
“Këto vite burg duhej t’i bëjnë Bashkim Gazidede, Agim Shehu e bashkëpunëtorët e tyre që krijuan “Hakmarrjen”. Unë pafajësinë e kam marrë në Zvicër, do e marr edhe në Strasburg.” – deklaron Spahiu
“Isha i sigurt që kështu do të ndodhte. Gjykata më dha dy vjet më shumë nga sa kishte kërkuar prokuroria, për të treguar besnikëri ndaj Sali Berishës dhe bandës së tij të vjetër me të cilët terrorizon gjyqtarët. Ato vite burg duhet t’i bëjnë Bashkim Gazidede, Agim Shehu dhe bashkëpunëtorët e tyre që krijuan “Hakmarrjen”. Unë jam krejtësisht i pafajshëm. E kam provuar pafajësinë para Gjykatës së Lartë në Zvicër dhe do ta provoj edhe në Strasburg”, ky ishte reagimi i njërit prej të ashtuquajturve anëtarë të organizatës kriminale “Hakmarrja shqiptare për drejtësi”, Kreshnik Spahiu.
Menjëherë pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për anëtarët e së ashtuquajturës “Hakmarrja shqiptare për drejtësi”, ku u dhanë 2 dënime me burgim të përjetshëm dhe saktësisht 177 vite burg për 10 peronat e akuzuar, i menjëhershëm ishte reagimi i njërit nga të gjykuarit. I kontaktuar nga “Korrieri”, Kreshnik Spahiu, i cili vetëm pak ditë më parë dha një intervistë ekskluzive për lexuesin, duke rindërtuar skena të tmerrshme të arrestimit, marrjen në pyetje dhe dyshimet të tij në lidhje me procesin, ai komentoi edhe vendimin e djeshëm të gjykatës, që i dha dy vjet burg më shumë sesa kishte kërkuar orokuroria. E njëjta gjë ndodhi edhe me Gëzim Gjonin dhe Dritan Haten, për të cilët organi i akuzës kishte kërkuar po dy vjet më pak heqje lirie, sesa vendosi dje pasdite Gjykata e Krimeve të Rënda.
Akuzat ndaj “Hakmarrjes”
Vrasja e Bujar Kaloshit, më 26 korrik 1996
Vrasja e Pirro Koninit, më 12 prill 1995
Vrasja e S. Jates, më 15 dhjetor 1993
Rrëmbimi i Erion Nushit, më 30 tetor 1995
Bombë në supermarketin e “Vefës”, më 26 shkurt 1996
Vjedhja e “Gjallicës”, Vlorë, më 13 dhjetor 1994
Vjedhja e “Vefës” në Vlorë, më 21 janar 1996
Vjedhja e Bankës së Vlorës, më 18 prill 1996
Vjedhja e INSIG-ut, më 21 shkurt 1995
Vjedhja e Bankës së Kursimeve, më 29 janar 1993
1. Altin Arapi, azil politik në Belgjikë, burgim i përjetshëm
2. Orik Shytika, azil politik në Zvicër, burgim i përjetshëm
3. Gentian Caka, në kërkim ndërkombëtar, 25 vjet burg
4. Roland Shyti, në kërkim ndërkombëtar, 25 vjet burg
5. Leart Shyti, në kërkim ndërkombëtar 24 vjet burg
6. Kreshnik Spahiu, azil politik në Zvicër, 24 vjet burg
7. Nikolin Novruzaj, azil politik në Holandë, 24 vjet burg
8. Dritan Hate, në gjendje të lirë, 23 vjet burg
9. Pasho Novruzaj, azil politik në Holandë, 22 vjet burg
10. Gëzim Gjoni, në gjendje të lirë, 10 vjet burg