PR, rikthim në qeveri

Partia Republikane duket e vendosur për përfshirjen e saj në qeverisje në nivel më të lartë, por tashmë kandidatura duket se nuk do të jetë më Fatmir Mediu, por një figurë tjetër e kësaj partie. “Partia Republikane nuk është deklaruar asnjëherë që do të ketë përfaqësim Fatmir Mediun apo dikë tjetër. Ne kemi deklaruar vetëm që PR-ja do të fillojë negociatat për përfshirje në qeveri. Vetë kryetari i partisë, Fatmir Mediu, ka deklaruar publikisht që, për asnjë arsye, nuk do të marrë pjesë në qeverisje”, ka thënë për “Korrierin” kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi. Sipas tij, emri i përfaqësuesit të republikanëve nuk është vendosur akoma nga strukturat e kësaj partie. Republikani Madhi thotë se tashmë është krijuar një klimë pozitive për nisjen e negociatave, pasi edhe vetë kryeministri Berisha ka treguar vullnet për diskutimin e propozimeve të republikanëve. “Nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar veprimin politik. Konstatojmë se ka një vullnet nga ana e kryeministrit Berisha, i cili është i gatshëm në çdo çast që të diskutojë mbi opsionet që ka PR-ja për përfshirjen në qeveri. Për negociatat mbeten thjesht aktivizimi i strukturave, për të cilat unë eventualisht nuk kam dijeni”, deklaron Madhi. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me zërat për ndonjë largim të mundshëm të Fatmir Mediut nga kryesimi i Partisë Republikane, Madhi e hedh poshtë këtë, duke e konsideruar si një “thashethem të padëgjuar”. Ai tregon se Partia Republikane i qëndron vendimit të saj për të pasur në mënyrë të padiskutueshme si kryetar Fatmir Mediun. “Nuk merrem me thashetheme dhe nuk e njoh këtë thashethem. Asnjë problem nuk ka brenda Partisë Republikane, asnjë konflikt, asnjë diskutim brenda partisë për këtë çështje. Ajo e ka përcaktuar tashmë vendimin e saj në raport me kryetarin. Kryetar i partisë është dhe mbetet Fatmir Mediu dhe nuk ka asnjë diskutim lidhur me këtë çështje”, thekson Madhi. Ndërkohë, Partia Republikane përfaqësohet në qeveri nga dy zëvendësministra, ku njëri është nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, ndërsa tjetri është sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Garuli, dy nga përfaqësuesit më të lartë të PR-së, pas kryetarit Mediu. Ndërkohë, në rast se Fatmir Mediu nuk do të jetë kandidat për t’u futur në qeveri, atëherë kandidati i mundshëm është vetë kryetari i grupit parlamentar, Arian Madhi. Diskutimi i një kandidature të mundshme brenda radhëve të Partisë Republikane konfirmohet për “Korrierin” edhe nga burime të ndryshme brenda strukturave të PR-së. Burimet tregojnë se, në rast se Arian Madhi do të largohet për të përfaqësuar republikanët në qeveri, atëherë kandidaturë e mundshme për të zënë kreun e grupit parlamentar është deputetja Lajla Përnaska. Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe vetë kryeministri Berisha e ka pranuar dje mundësinë e rikthimit të republikanëve në qeveri, por pa përcaktuar qartë nëse lëvizja e tij do të jetë dhënia e postit të zëvendëskryeministrit republikanëve. Vetë kryeministri deklaroi dje, se ky post shumë shpejt do të plotësohet. “Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet. Për sa i përket pjesës tjetër, unë nuk mund të hyj në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike”, deklaroi ditën e djeshme kryeministri Berisha, ndërsa nuk dha shpjegime nëse do të bëhen këtë muaj ndryshimet e pritshme qeveritare.