Shkarkohet kreu i KESH, Stojku
Në kulmin e suksesit të aktivitetit ekonomik, vjen vendimi i papritur për largimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Muharem Stojku. Vendin e tij do ta zërë Engjëll Zeqo, ish-drejtor i Shpërndarjes, dy vjet më parë. Vendimi është marrë dje pasdite, ndërsa mbeten ende të paqarta motivet. Ish-drejtori, në prononcimin për mediat, dje në mbrëmje pranoi se i është kërkuar largimi nga posti me propozim të ministrisë. Zyrtarisht Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e ka komentuar largimin e Stojkut si vendim personal të tij dhe jo shkarkim, ndërsa konfirmon emërimin e Zeqos, ekspert i fushës së energjetikës. As stafi më i ngushtë i kreut të KESH-it nuk kanë qenë në dijeni për largimin e shefit, duke e mësuar lajmin krejt papritur. Emërimi i Stojkut u bë në muajin tetor 2009, pas largimit të Gjergji Bojaxhi, me një vendim të Këshillit Mbikëqyrës, i cili zhvilloi një sërë konsultash deri në miraimin final. Aktualisht KESH ndodhet në situatë të favorshme ekonomike, falë eksporteve të larta të energjisë elektrike. Në pesë muajt e parë të vitit, korporata ka arkëtuar rreth 65 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike në shtetet e rajonit.
#