BE, ministrat e Brendshëm: Vizat? Keni edhe një copë rrugë përpara
Liberalizimi i vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën është marrë në diskutim dje nga 27 ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian. “Mbi propozimin për kushtëzimin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën që unë prezantova patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që këshilli do t’i rikthehet kësaj çështjeje sapo ne t’i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve për të përpiluar vlerësimin pas verës”, u shpreh komisionerja për sigurinë dhe çështjet e brendshme, Cecilia Malmström. Ministri i Brendshëm i Spanjës, vendit që kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, Alfredo Pérez Rubalcaba u shpreh se “këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike, të gjithë ishin pro liberalizimit megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete të kishin kohën e mjaftueshme për t’i përmbushur kushtet”. Komisionerja, tha ai, na informoi për situatën, Presidenca dhe komisioni ndajnë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë përpjekje, por ka ende një copë rrugë për të bërë. “Ne shpresojmë se ata do t’i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkretizohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur”, u shpreh Rubalcaba.
Ministrat e Brendshëm europianë duket se nuk kanë rënë dakord me propozimin e Sllovenisë që propozimi për liberalizimin e vizave të kalojë në shtator në këshillin e parë europian që është ai i ministrave të Bujqësisë si pikë A, pra pa diskutim të mëtejshëm. “Të gjithë janë pro liberalizimit të vizave, por disa vende anëtare janë më mosbesuese, pasi dyshojnë që këto dy vende të kenë kohën e mjaftueshme për t’i përmbushur objektivat që ju kemi vënë, në afatin e përcaktuar. Ne u kemi kërkuar atyre të bëjnë përpjekje të mëdha për përmbushjen e kritereve në vjeshtë, ndërsa komisioni dhe ne do ta vëzhgojnë këtë çështje nga afër”, u shpreh ministri i Brendshëm spanjoll. Një prej vendeve kryesore skeptike për liberalizimin e regjimit të vizave është Belgjika. Ajo është vendi që përcakton edhe axhendën e pas datës 1 korrik, pasi merr Presidencën e radhës së Bashkimit Europian për gjashtëmujorin tjetër të vitit.
Dy ditë më parë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, përpiluesja e raportit mbi Shqipërinë dhe Bosnjën pas marrjes së rekomandimit të Komisionit foli për liberalizimin. “Pas draftit, sipas traktatit të Lisbonës, duhet të presim për opinionin e parlamenteve nacionale të 27 vendeve anëtare, që kanë 8 javë kohë për të reaguar. Ne do të ndjekim procedurën e rregullt, atë të thjeshtë: Komiteti i Jashtëm duhet të shprehë opinionin e tij çfarë do të debatohet në Komitetin për çështjet e Brendshme, Lirisë e Sigurisë. Pas dritës së gjelbër nga ky komitet, çështja i kalon për votim Parlamentit, që siç e thashë, ka shumë gjasa që të votohet në seancën plenare të shtatorit ose tetorit”, tha Fajon. Ajo sqaron se procesi për heqjen e vizave bazohet në përmbushjen e kritereve teknike, por nënvizon se vendimmarrja është politike. “është proces i pastër teknik, si për Komisionin dhe për Parlamentin Europian dhe Shqipëria ka punuar e po vazhdon të punojë për të plotësuar të gjitha kriteret. Por, në anën tjetër duhet të tregohemi realistë, është gjithashtu vendim politik e situata aktuale në Shqipëri nuk ndihmon, pasi vendet anëtare nuk do të duan që një vend të përparojë shpejt në integrimin europian e në procesin e liberalizimit të vizave, nëse Shqipëria nuk është politikisht vend i qëndrueshëm”, u shpreh Fajon. Më tutje ajo, gjeti rastin të nxisë të gjitha partitë e përfshira për një zgjidhje, sepse kështu do të ishte më e lehtë për të gjithë kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. “Kjo natyrisht që mund të sjellë komplikime edhe brenda Parlamentit Europian, sepse ka vende anëtare që mund të kenë rezerva e po kështu dhe anëtarë të Parlamentit, çfarë sigurisht mund të vonojë procesin. Ndaj shpresoj që Shqipëria do ta zgjidhë këtë situatë sa më shpejt, sepse mund të dëmtojë procesin dhe unë pres që disa eurodeputetë mund të kërkojnë pyetje shtesë, nëse kjo situatë nuk do të zgjidhej shpejt”, thekson Fajon.
#