Shkarkohet "pushtuesi" i Greqisë

Ngjarja
Sipas të njëjtave burime, bëhet me dije se Ahmet Prençi ka komunikuar me telefon në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë shefat e komisariateve në vend gjatë ditës së shtunë, për të parë gatishmërinë në punë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në burgun e Burrelit, nga ku u arratisen për gati 40 minuta, 2 të dënuar. I vetmi që rezultoi me dy telefona që ka në posedim të fikur, ishte kreu i Komisariatit të Devollit, Braholli. Pasi ka kërkuar informacion për ish-shefin në fjalë, që të thërritet në radio në mënyrë urgjente, për të komunikuar me të personalisht, askush nuk mundi ta gjejë Brahollin, ndërsa nga vartësit e tij është dhënë informacioni se ai gjendej në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Misteri u zbulua nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët mësuan se drejtuesi i lartë ka thyer disiplinën dhe ka shkelur rregullat e shërbimit, duke hyrë rreth orës 18 në territorin e një shteti të huaj me uniformë policie dhe pa njoftuar krerët më të lartë të Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj nisën hetimet, ndërsa informacioni i detajuar mbërriti pranë drejtorit të Përgjithshëm, Prençi, madje dhe pranë ministrit Nishani. Sipas Brahollit, “qëndrimi në tokën fqinje ishte i shkurtër”, ndonëse rezulton që ai të ketë hyrë më në thellësi të saj. Dyshohet që destinacioni i tij ka qenë Kosturi, ndërsa ai ka shfrytëzuar njohjen me policët grekë. Ky duket se është dhe precedenti i parë i këtij lloji, ndërkohë që çështja duket se do të ketë një hetim të posaçëm të SHKB-së, në ndihmë të së cilës do të vihet edhe kasetat e kamerave të instaluara në Kapshticë.