E Diel, 1 Nëntor 2026

ATF apo FBI?

TIRANË  - “Braktisja” e grupit hetimor shqiptar nga ana e specialistëve të FBI-së, të kërkuar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, deri diku u zëvendësua me ardhjen e grupit të specialistëve të ATF-së. Këta të fundit sipas specialistëve të hetimit, do të mund të kthejnë përgjigje vetëm për pjesën teknike të shpërthimit të ndodhur në 15 mars në Gërdec, ndryshe nga përgjigjet e shumëdëshiruara që do të mund të vinin në rast se do të kishin ardhur specialistët e FBI-së, ashtu sikundërse u tha dhe u shpresua fillimisht. Tashmë hetimi në fakt, dhe lidhja e të gjitha pjesëve të tij me njëra-tjetrën ka mbetur në duart e hetuesve shqiptarë, të cilët duhet t’u kthejnë përgjigje pikëpyetjeve të shumta të dosjes “Gërdeci”.  Ndërkohë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) në “CV” e saj të punës së përditshme ka hetimin e krimeve të rënda, ATF-ja duket si “bijëza” saj e lindur nën ombrellën e Departamentit të Mbrojtjes, e cila mund të kthejë përgjigje teknike për shumë krime, përfshirë edhe shpërthimet e fuqishme. Sipas njohësve të të dyja strukturave, mësohet se ATF-ja ka një njësi të veçantë i njohur si programi i Specialistëve të Certifikuar për Eksplozivët (CES). Personeli i CES janë burimi primar i ATF-së në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me shpërthimet. Programi përbëhet nga agjentë specialë që janë të trajnuar maksimalisht për hetimin dhe shkatërrimin e materialeve shpërthyese. Ata ndihmojnë agjentët specialë në hetimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me shpërthimet, duke i ndihmuar teknikisht dhe me analiza. Kjo përfshin ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përgatitjen e terrenit, identifikimin e lëndëve shpërthyese, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe interpretimin e të dhënave teknike përfundimtare. 

Gjithsesi, dje gjashtë ekspertët amerikanë, të cilët mbërritën rreth 10 ditë vonesë në Shqipëri, menjëherë pasi morën udhëzimet e para, nisën nga puna në kraterin e shpërthimit në Gërdec. Ekspertët e strukturës hetimore në varësi të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të ATF-së, ditën e djeshme nisën nga puna për këqyrjen e zonës më të infektuar, e cila ndodhet pikërisht në vendin ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik i 15 marsit. Të shoqëruar nga xhenierë shqiptarë, katër oficerët dhe dy inxhinierët e ATF-së, të specializuar në hetimin e shpërthimeve nga lëndët plasëse, kanë mbledhur një sërë provash në vendin e shpërthimit, në bazë së të cilave do të përcaktohet dhe shkaku i shpërthimit. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije, se krahas procesit të këqyrjes dhe mbledhjes së provave në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë bërë dhe disa analiza paraprake për elementet që ata i konsiderojnë të rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjes. Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e të gjitha provave të mjaftueshme, ekspertët amerikanë do të hartojnë një ekspertizë të plotë shkencore mbi shkaqet e shpërthimit, ku përcaktimi i kësaj të fundit është mjaft i rëndësishëm për vazhdimin e hetimeve. Një raport i tillë pritet të bëhet në një kohë rekord nga ekspertët amerikanë, të cilët dy ditë më parë mbërritën në Tiranë, duke zëvendësuar 6 ekspertët e FBI-së që priste prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›