Shkatërrohet një bandë e trafikut të kokainës, arrestohen 14 shqiptarë

Policia italiane ka shkatërruar një bandë të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e cila drejtohej nga shqiptarë. Mësohet se nga 31 të arrestuarit, 14 prej tyre janë shqiptarë dhe rreth 2.5 kg kokainë janë sekuestruar.
Në operacionin e kapjes së anëtarëve të bandës u përfshinë 300 policë të komandës të Astit dhe Val D’Aostas.
Trafiku i kokainës kryhej në veri të Italisë, në Asti dhe rezulton se në tërësi shqiptarët trafikuan 31 kilogramë kokainë, në vlerë 10 milionë euro, transmeton gazeta Shekulli.
Sipas policisë italiane, droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit të veriut. Më pas kokaina tregtohej në Asti, Udine, Brescia, Savona, Genoa, Piza, Parma dhe Milano.
Rrjeti drejtohej nga tre shtetas shqiptarë: Shahinaj Vexhi dhe Sajmir Guradeci (aktualisht të arrestuar në Francë), si dhe një i tretë që ndodhet aktualisht i arrestuar në Shqipëri.
Furnizues i grupit ishte Saimir Serjani, ndërsa vëllezërit Alibej dhe vëllezërit Bullari ishin drejtues të bandës./Indeksonline/