Shkatërrohet një rrjet i drogës në Greqi

Policia greke ka zbuluar një rrjet trafikimi droge, në të cilin janë përfshirë 13 persona. Veprimtaria e këtij rrjeti zhvillohej kryesisht në ishullin e Kretës, pas importimit të drogës në territorin grek.Nga 13 persona e rënë në pranga, 12 janë shtetas grekë, të moshës 20-25 vjeç, dhe një shqiptar 30 vjeç, të cilët akuzohen për krijimin e organizatës kriminale, posedim dhe trafikim droge, si dhe shkeljen e ligjit për armët.
Sipas policisë, rrjeti importonte sasi droge kryesisht të papërpunuara nga Shqipëria dhe e shpërndante atë në zona të ndryshme të Kretës.
Nga kontrolli i ushtruar në banesat e të arrestuarve policia gjeti rreth 8 kg kanabis sativa, sasi të vogla kokaine, dy lloj armësh, fishekë, pesë peshore elektronike, 35 telefona celularë dhe rreth 9 000 dollarë. Armët janë dërguar për testime balistike, ndërsa të arrestuarit u dërguan në prokurorinë e Iraklios.
Sipas vlerësimeve paraprake, nga aktivitetet e jashtëligjshme të kësaj organizate kriminale janë përfituar qindra-mijëra euro./Indeksonline/