E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Shkelën etikën”, Kuvendi përjashton për 10 ditë deputetët Edi Paloka dhe Bujar Leskaj! Berisha: Do t’i përgjigjemi

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për Vlerësimin ka përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi deputetët demokratë, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj. Vendimi është marrë me arsyetimin se ata “shkelën etikën”, ndërsa kërkesa për këtë masë u bë nga Partia Socialiste.

Sipas tyre, dy deputetët ishin nën ndikimin e pijeve alkoolike në seancën e të enjtes në Kuvend dhe bënë veprime të pahijshme e përdorën një fjalor banal.

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha e konsideroi përjashtimin “një akt të rëndë”, duke paralajmëruar se opozita do t’i përgjigjet.

“Është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe opozita do t’i përgjigjet. Nga njëra anë ke një njeri me një fjalor stër-ordiner sa herë vjen në parlament. Ne do i përgjigjemi, koha do ta tregojë. Ta që mendojnë se mund të na mposhtin me fjalor rrugaçësh, gabojnë rëndë. Ne nuk bojkotojmë parlamentin, e konsiderojmë detyrë edhe pse nuk ka gjë më të rëndë të shkosh në atë parlament kur një qeveritar vjen dhe përdor atë fjalor”, tha Berisha.

Seanca e djeshme plenare (10 nëntor), ku u diskutua për buxhetin e 2023, u shoqërua me debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama i cilësoi dje Palokën dhe Leskajn si “2 të dehur që shanë me libër shtëpie” prej alkoolit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›