E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet e Policisë më 21 janar, no koment për 4 vrasjet

Zbulohen shkeljet në zbatimin e planit të masave. OSBE-SHKB, raport për mangësitë e Policisë në demonstratën e opozitës. Zyra e OSBE-së në Tiranë dhe Shërbimi i Kontrollit të Bren-dshëm në Ministrinë e Brendshme, kanë hartuar një raport të detajuar prej 46 faqesh, pasi kanë inspektuar Policinë e Shtetit lidhur me menaxhimin e demonstratës së 21 janarit 2011.

Hetimi është pasqyruar i detajuar në raport, dhe ka nisur pas urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së, të datës 4 shkurt 2011, i cilësuar urdhër Për kryerjen e Inspektimit të jashtëzakonshëm në strukturat e Policisë së Shtetit. Në raport janë përmendur të gjitha shkeljet e kryera nga forcat e policisë, mosfunksionimi siç duhet i planit të masave, por nuk është përmendur në asnjë rast momenti i vrasjes së 4 qytetarëve, mesa duket, për shkak se vdekja e katër personave u bë objekt i punës së Prokurorisë që në mbrëmjen e 21 janarit. Inspektimi i kryer u zhvillua duke u bazuar në mbledhjen e informacionit nëpërmjet intervistave të zhvilluara me punonjës të Policisë së Shtetit, të nivelit drejtues dhe zbatues dhe verifikimin e procedurave te ndjekura nga strukturat e Policisë. Për kryerjen e hetimeve janë administruar, këqyrur dhe vlerësuar dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit. Gjithashtu, janë përdorur pamje filmike të transmetuara nga mediat, intervistime me punonjës të strukturës policore të niveleve të ndryshme, fotografi dhe intervistime me qytetarë.
RAPORTI
Raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është ndarë në 7 pjesë kryesore: Masat paraprake organizative, përshkrimi i ngjarjes, intervistimet, masat pas protestës, konkluzionet, rekomandimet dhe fotot përshkruese. Ajo çka bie në sy gjatë shtatë pjesëve të këtij raporti, është fakti se në asnjë paragraf të tij nuk është përmendur momenti i vrasjes së katër qytetarëve gjatë demonstratës. Janë përshkruar me hollësi dhe minutë pas minute momentet kur turma ka sulmuar policinë me sende të forta. Urdhrat e dhënë nga drejtuesit për përdorimin e gazit lotsjellës, makinës me ujë dhe një tjetër urdhër për përdorimin e një helikopteri për hedhjen e lëndëve lakrimogjene mbi protestuesit. Ndërsa rezulton të jetë dhënë edhe një urdhër për tu njoftuar Garda e Republikës që të mos qëllojë më me armë, pasi turma po tërhiqet drejt selisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që në raport nuk citohet momenti kur është dhënë urdhri për të qëlluar me armë. Katër qytetarët e vrarë gjatë demonstratës përmenden vetëm si shifër në tabelën statistikore me pasojat e demonstratës.
Rrugoret
Në raport theksohet se në planin e masave ka qenë parashikuar konkretisht që Njësia e Policisë Rrugore Tiranë duhet të merrte të gjitha masat e nevojshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, si dhe të pastronte të gjithë zonën rreth godinës së Kryeministrisë nga automjetet e parkuara. Nga inspektimi ka rezultuar se automjete të ndryshme kanë qenë të parkuara përreth godinës së Kryeministrisë, ndërsa automjeti tip Benz i përshkruar më lart nuk është ndaluar nga Njësia e Policisë Rrugore. Ky mosveprim është në kundërshtim me Planin e Masave.
Informacioni
Drejtoria e Policisë së Tiranës, më 18 janar 2011, ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se nga organizatorët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste do goditet me mjete të forta, si gurë, vezë, në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në miting do të marrin pjesë militantë të dhunshëm nga rrethet, të cilët kanë tendenca për të krijuar trazira gjatë mitingut. Më problematikët do të jenë ata të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjatë mitingut do të vendosen në mes të protestuesve në vende të ndryshme makina të vjetra, të cilat do të digjen.

Kryeministria, zbuluar për 45 minuta
Si rezultat i çorganizimit të forcave të Policisë, godina e Kryeministrisë mbeti e pambuluar nga forcat e rendit për rreth 45 minuta, ndonëse brenda rrethimit kishte mbetur rreshti i gardistëve. Grupi i punës që ka hartuar raportin përfundimtar, ka arritur në përfundimin se gabimet e forcave të Policisë gjatë protestës kanë nisur që me orarin e vënies në zbatim të planit të masave. Rezulton që forcat e Policisë janë angazhuar për demonstratën, në vendin ku ishte lajmëruar, 3 orë para se të fillonte, gjë që ka sjellë lodhjen e efektivave të rendit e më pas çorganizimin e tyre. Plani i masave të policisë ka dalë jashtë kontrollit që pas orës 14:20, kur përpara godinës së Kryeministrisë, një grup prej 300-350 demonstruesish, kanë filluar të godasin me shkopinj dhe sende të forta policët e vendosur në kordon, që ishin të pa pajisur me mjete mbrojtëse. Forcat FNSH janë afruar, por nuk janë futur në veprim, duke qëndruar në gatishmëri. Për rreth 3540 minuta, protestuesit kanë vazhduar dhunën ndaj punonjësve të Policisë. Janë bërë thirrje me megafon nga drejtuesit e Policisë, por sipas SHKB, është konstatuar se në këtë fazë nuk janë kryer komunikime të vazhdueshme nga drejtuesit e Policisë së Shtetit me organizatorët e tubimit.
GABIMET E POLICISE
Pas çarjes së kordonit të policisë nga turma për të depërtuar te godina e Kryeministrisë, është dhënë urdhër nga drejtuesi i shërbimit që të fillojë hedhjen e granatave të dorës me gaz lotsjellës CN. Janë përdorur veç granatave edhe shotganët 12 mm dhe 40 mm me gaz CN, për shpërndarjen e demonstruesve që ishin më aktivë në ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të Policisë. Ky veprim ka rezultuar jo shumë efektiv, për shkak të mosllogaritjes së drejtimit të erës, e cila frynte me drejtim perëndim-lindje dhe gazi CN i hedhur në drejtim të demonstruesve, kthehej në vendin e dislokimit të forcave të Policisë dhe FNSH-së, të cilët ranë nën efektin e këtij gazi për arsye të mospajisjes së tyre me kundragaz, thuhet në raportin e SHKB-së. Edhe pas përdorimit të lëndëve kimike, një pjesë e grupit të demonstruesve vazhdonte të godiste punonjësit e Policisë dhe në këtë moment hynë në veprim dy automjete ujëhedhëse. Automjetet ujëhedhëse nuk u shoqëruan me punonjës policie, për arsye të angazhimit të të gjithë forcave policore në ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, dhe rënies nën efektin e lëndëve lakrimogjene. Ky veprim bie në kundërshtim me procedurat standarde të punës për rendin dhe sigurinë publike, e cila parashikon shoqërimin e automjeteve ujëhedhëse me forca policore, nënvizohet në raport. Sipas raportit, nga pamjet vizive konstatohet që, porta nr.1 e godinës së Kryeministrisë për rreth 45 minuta nuk ka qenë mbuluar me forca policore, për shkak të çorganizimit të tyre.

Rekomandimet për ristrukturim
Të parashikohen trajnimet e duhura për struktura të veçanta të Policisë së Shtetit për të përballuar demonstrata. Të hartohen plane masash me detyra të qarta dhe përgjegjësi konkrete për gjithë punonjësit e Policisë, që angazhohen në veprimtari të tilla. Të sigurohen mjete efektive dhe kanale të qarta komunikimi vertikalisht dhe horizontalisht ndërmjet strukturave të Policisë, gjatë zhvillimit të demonstratave. Të sigurohet dhe instalohet një server qendror për regjistrimin e të gjitha komunikimeve ndërmjet punonjësve të Policisë, gjatë zhvillimit të këtyre operacioneve policore.

Konkluzione
1. Konstatohet një performancë jo e mirë e strukturave të Policisë së Shtetit në mbledhjen e informacionit në kohën e duhur, që të paraprinte marrjen e masave të duhura nga Policia e Shtetit për përballimin e situatës së krijuar.

2. Studimi dhe rikonjicioni i terrenit përreth godinës së Kryeministrisë nuk është bërë i plotë, gjë që solli dhe mosmbulimin me shërbim policie të gjit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›