Shkëlzen Maliqi sulmohet edhe nga të vetët
Zgjedhja e Edi Ramës për të angazhuar Shkëlzen Maliqin si këshilltar për rajonin, është shoqëruar me kritika të mëdha për faktin se ai ka qenë në krye të institucionet Gani bobi, që bënte rregullisht sondazhe për llogari të Sali Berishës.
Por, zgjedhja e Maliqit çuditërisht është kritikuar edhe nga ata të cilët deri dje e konsideronin atë si njeriun e tyre.
Kështu, gazeta 55 e Fahri Balliut, ka bërë një shkrim të ashpër kundër tij, duke e konsideruar Maliqin si një njeri të lidhur me Serbinë dhe që mund të vërë në rrezik sigurinë kombëtare!
Shkëzen Maliqi ka jetuar aktivisht në Beograd në vitet 1966 1982. Por edhe pas largimit ai ka qenë i pranishëm në kryeqytetin e Serbisë si bashkëpunëtor i Fondacionit Soros.
Me një jetë të tillë në një vend i cili në platformat e sigurisë së shtetit shqiptar është në vëmendje verifikuese e gjendje vigjilence, emri i Shkëlzen Maliqit do të ishte i kursyer për tu pasur këshilltar nga cilido kryeministër i Shqipërisë. Edhe vetë origjina e Shkëlzen Maliqit si biri i xhelatit të punëve të brendshme mbi shqiptarët e Kosovës na bën të mendojmë se emri i tij është më shumë se një herë peng të vendin e dikurshëm kufitar me Shqipërinë.
Jo më kot ai ka pohuar më parë: Në të vërtetë, edhe babai im ishte një ushtar i spikatur i revolucionit dhe shef i policisë kosovare në vitet pesëdhjetë, kur edhe në Kosovë zhvillohej lufta klasore kundër reaksionit borgjez dhe të tjerëve, çka nënkuptonte burgosje dhe tortura për kundërshtarët e regjimit, dhe pastaj për të dytën herë, që nga viti 1981 gjer më 1984, kur u burgosën në masë dhe iu nënshtruan torturave me mijëra kundërrevolucionarë kosovarë, irredentistë dhe nacionalistë shqiptarë.
Tanimë Rama na ka sjellë një person me probleme në të kaluarën e vet me shtetin e Serbisë, por po kaq jo normale janë marrëdhëniet e zotit Maliqi me shqiptarët e Kosovës të cilët mundet nuk i kanë harruar efektet e dhunës së përhershme që ka ushtruar Serbia mbi Kosovën. Çfarë politike rajonale do të bëjë z.Maliqi kur ai nuk ka mundur të integrojë e paqtojë të pari bashkëqytetarët e vet, shkruan gazeta e Fahri Balliut.
Çudi në fakt, si nuk i kanë ditur këto gjëra gjithë këto vite, kur Maliqi shërbente për kryeministrin në ikje, Sali Berisha!