Shkëmbim zjarri mes bandave, tre të plagosur
Për minuta të tëra qendra e qytetit të vogël ka qenë në "pronësi" të tre personave, të cilët janë përleshur me armë. Policia ndërhyn për të dërguar të plagosurit Viktor Fufi, Eduart Trokthi dhe Armir Reçi në spital
LAÇ- Terror dhe luftë bandash në qytetin e Laçit. Për minuta të tëra qendra e qytetit të vogël ka qenë në "pronësi" të tre personave, të cilët janë përleshur me armë. Shkëmbimi i zjarrit ka përfunduar kur të tre personat e armatosur, Viktor Fufi, Eduart Trokthi dhe Armir Reçi, janë plagosur me njëri- tjetrin. Gjatë të gjithë kohës, asnjë nga banorët ose policia nuk kishte guxuar që të ndërhynte. Por kur tre të rinjtë kanë pushuar shkëmbimin e zjarrit, policia ka ndërhyrë duke dërguar të plagosurit në spital. Disa minuta pas ngjarjes, qyteza e Laçit është "blinduar" nga forcat speciale, të cilat kanë zbarkuar në qytet për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit që mund të sjellë edhe implikimin e familjeve të tre të rinjve të plagosur.
Përplasja
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se rreth orës 16.00 të pasdites së djeshme qyteza e Laçit është kthyer në një skenë të filmave "Western" kur disa të rinj kanë nisur të qëllojnë pa pushim njëri- tjetrin në qendër të qytetit. "Sapo kishte nisur që të errësohej kur disa të rinj kanë nisur të qëllojnë me armë njëri- tjetrin. Ata qëllonin drejtpërdrejt, edhe pse rrugët ishin ende me njerëz",- thanë dëshmitarët okularë. Sipas policisë, Viktor Fufi nga Mamurrasi, ka qenë duke udhëtuar në një makinë së bashku me shtetasin Eduart Trokthi, nga Laçi. Ata ishin duke zbritur nga disheza që nis tek shkolla e mesme "At Shtjefën Gjeçovi" në drejtim të bashkisë së qytetit. Pikërisht në këtë vend ata kanë hasur përpara tyre shtetasit Armir Reçi, nga fshati Gjormë i rrethit të Kurbinit. Me tu vënë përballë njëri- tjetrit, Reçi ka nxjerrë një pistoletë dhe ka nisur të qëllojë pa pushim mbi Fufin dhe Trokthin. Në këtë moment edhe ata kanë dalë nga makina dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të Reçit. Të tre kanë zënë "pozicione luftimi" dhe qëllonin njëri- tjetrin pa pushim.
Dëshmitarët
"Ishte e tmerrshme. Ata qëllonin mbi njëri- tjetrin ndërsa ne që ishim në rrugë nisëm të fshiheshim. Njerëzit nuk dinin ku të shkonin. Disa janë shtrirë përdhe në asfalt për t'iu shpëtuar plumbave që vinin nga të gjitha anët, ndërsa të tjerët kanë ikur me vrap",- tha një prej dëshmitarëve okularë. Sipas tij, dhjetëra kalimtarë të rastit, janë futur nëpër pallate, duke u strukur se mos merrnin ndonjë plumb. Nga ana tjetër drejtuesit e makinave që ndodheshin aty pranë ose kanë braktisur mjetet ose kanë ikur me nxitim. Deri kur tre të rinjtë kanë pushuar shkëmbimin e zjarrit askush nuk ka lëvizur nga vendi. Edhe policia lokale dukej sikur ishte zhdukur për ti lanë qytetin njerëzve me armë
Policia
Disa minuta pas përfundimit të shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes është shfaqur policia lokale. Ajo ka marrë tre të plagosurit dhe me makinat e saj i ka nisur për në spital. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Laçit, nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre kanë mbetur të plagosur shtetasit Viktor Fufi, Eduart Trokthi dhe Armir Reçi. "Të tre personat ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Për momentin jemi duke mbledhur dëshmitë e personave të ndryshëm në vendin e ngjarjes",- thanë dje hetuesit e policisë lokale. Por në asnjë rast policia lokale nuk ka pohuar arrestimin e ndonjërit nga tre personat që kanë qëlluar me armë në mes të qytetit të Laçit.
Pistat që po hetohen
Policia: Dyshojmë për trafiqet në Itali
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Laçit, dyshohet se shkëmbimi i djeshëm i zjarrit mes bandave ka ardhur pas një sherri të vjetër. Nga hetimet e para policia ka zbuluar se të tre personat që janë konfliktuar me armë dje në qendër të qytetit kanë pasur konflikte që në kohën kur ata kanë qenë emigrantë në Itali. Edhe pse hetuesit kanë kontaktuar me të tre të plagosurit në spital, asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të bashkëpunojë duke treguar motivet e sherrit të djeshëm. "Nga hetimet e para dyshojmë se konflikti mes tyre ka nisur për veprimtari të paligjshme në Itali. Dyshimet e para janë për narkotikë por po hetohet edhe për ndonjë konflikt të nisur pas trafikut të prostitucionit. Për momentin është ende herët për të dhënë një pistë përfundimtare për këtë ngjarje",- thanë hetuesit e çështjes. Sipas tyre, Armir Reçi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Italia. Ndërkohë, hetuesit kanë pohuar se ka shumë pak gjasa që konflikti të ketë lindur në Shqipëri. Të tre personat e implikuar njihen nga policia lokale për rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Laçi blindohet nga forcat speciale
Pas "luftës" mes tre të rinjve në qendër të qytetit të Laçit, situata është bërë tepër e nxehtë. Për këtë arsye nga qytetet e tjera janë nisur efektiva të forcave speciale, në mënyrë që të kontrollohet më mirë situata. Kështu, vetëm 50 minuta pas konfliktit të djeshëm, qyteza e Laçit është "pushtuar" nga forcat speciale të mbërritura nga qyteti i Shkodrës. Efektivat e forcave speciale kanë zënë kryqëzimet kryesore të qytetit dhe pritet të qendrojnë deri sa të qetësohet situata. Ndërkohë edhe policia lokale ka shtuar ndjeshëm aktivitetin e saj në qytet. Të gjitha makinat e policisë kanë dalë nëpër rrugë duke patrulluar dhe Laçi është kthyer në një situatë që i ngjan "gjendjes së jashtëzakonshme". Burimet e policisë pohuan se situata do të vazhdojë në këtë formë pasi ekziston rreziku që konflikti të përshkallëzohet. Në shumë raste të tjera, incidente të vogla të ndodhura në këtë zonë kanë precipituar në konflikte tepër të rrezikshme që kanë sjellë edhe vdekje personash. "Për këtë arsye forcat speciale dhe policia lokale do të mbajnë nën kontroll situatën deri sa të jetë qetësuar gjithçka",- thanë burimet e policisë lokale.
PRECEDENTI
Për 15 minuta në qytezë u dëgjuan vetëm breshëri automatiku. Policia identifikon personat por nuk arreston asnjë
Laçi kthehet në fushë-betejën e bandave
Qyteza e Laçit është kthyer në një fushë-betejë edhe disa muaj më parë kur dy banda rivale kanë nisur të qëllojnë pa pushim njëra- tjetrën në qendër të qytetit. Ngjarja ka ndodhur më dy gusht kur për rreth 15 minuta në Laç janë dëgjuar vetëm breshëri të zgjatura automatiku ndërsa asnjë prej banorëve nuk ka guxuar që të dalë qoftë edhe në dritaren e shtëpisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me policinë lokale, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pasi gjithçka kishte mbaruar. Ajo ka mbledhur dhjetëra gëzhoja armësh dhe ka parë njollat e gjakut. Mëngjesin e djeshëm me anë të një komunikate zyrtare, policia lokale, ka pohuar se bëhet fjalë për plagosjen e shtetasit Aleks Daçi nga ana e shtetasit Arjan Syziu. Bandat e përfshira në konflikt dyshohet se kanë edhe mbështetjen e një deputetit dhe për këtë arsye policia është treguar shumë e "ngathët" për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Anëtarët e dy bandave janë takuar në qendër të qytetit, pranë spitalit dhe kanë nisur të shkëmbejnë zjarr me breshëri. Madje anëtarët e bandave kanë ndjekur njëri- tjetrin nëpër qytet duke qëlluar me armë. Kur gjithçka është qetësuar në qytet është shfaqur edhe policia. Ajo ka mbërritur në vendin e ngjarjes kur të gjithë protagonistët e saj ishin larguar. Burimet e policisë pohuan se në vendngjarje janë administruar në cilësinë e provave materiale dhjetëra gëzhoja armësh si dhe janë gjetur disa njolla gjaku. Kjo ka bërë të dyshohet se të paktën një person është plagosur. Më pas janë marrë në pyetje ata pak njerëz që janë gjetur aty pranë por asnjë prej tyre nuk ka dhënë detaje të nevojshme për hetimin. Nga frika e bandave, dëshmitarët okularë nuk kanë pranuar që të tregojnë se kush ishin protagonistët e "luftës" 15-minutëshe në qendër të qytetit. Hetimet e zhvilluara kanë zbuluar emrat e protagonistëve të ngjarjes por askush prej tyre nuk është arrestuar nga policia. Edhe banorët, të trembur nga bandat nuk kanë dhënë asnjë dëshmi që mund të ndihmonte hetimin e çështjes.
Mjekët: Të plagosurit, jashtë rrezikut për jetën, kanë vetëm plagë në këmbë. Policia merr në ruajtje Trokthin
Policia ndan të plagosurit në spitale të ndryshme
TIRANË- Pas ngjarjes së djeshme, policia ka marrë tre të plagosurit dhe i ka nisur menjëherë për në spitalin e qytetit. Por kur mjekët lokalë kanë parë gjendjen e tyre kanë vendosur dërgimin e tyre në një qendër spitalore më të specializuar. Kështu tre të plagosurit janë nisur për në kryeqytet, ku do të shtroheshin në Spitalin Ushtarak. Frika e vazhdimit të konfliktit mes tyre, ose përshkallëzimit të tij me përfshirjen e familjarëve, ka bërë që policia t'i ndajë të plagosurit. Dy shokët, Viktor Fufi dhe Eduart Trokthi janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet ndërsa Armir Reçi është dërguar në spitalin e qytetit të Durrësit. Në këtë mënyrë ata nuk mund të jenë pranë njëri- tjetrit.
***
Korridori i katit të parë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet është i mbushur me njerëz që interesohen për dy të plagosurit e djeshëm. Eduart Trokthi, 27- vjeçari i plagosur në qendër të qytetit të Laçit, është shtruar në një prej dhomave të katit të parë, pranë urgjencës. "Ai është sjellë nga policia e Laçit për kurim. Kishte marrë plagë plumbi në të dyja këmbët. Së bashku me të ishte edhe një i plagosur tjetër, Viktor Fufi. Edhe ai kishte plagë të shkaktuar nga plumbat në këmbë por gjendja e tij ishte më e lehtë",- thanë dje mjekët e urgjencës. Ata i kanë dhënë të plagosurve ndihmën e parë mjekësore dhe më pas i kanë dërguar në dhomat e shtrimit. Por janë të pakët personat që lejohen të vizitojnë të plagosurin. Policia ka marrë në ruajtje dhomën e të plagosurit dhe nuk lejon askënd që të afrohet aty. Pasditen e djeshme përpara dhomës së tij ndodheshin gjashtë efektivë policie, të cilët kishin marrë urdhrin që përveç hetuesve dhe mjekëve, askush tjetër të mos hynte në dhomë. "Nuk lejohet, i plagosuri ndodhet në masa të rrepta sigurie" janë të vetmet fjalë të punonjësve të policisë, të cilët me dorë të tregojnë rrugën për të larguar andej nga erdhe. Por kjo nuk largon miqtë dhe të afërmit e Eduartit. Ata ndodhen në hollin e spitalit duke pyetur çdo mjek që kalon aty pranë se si është gjendja e tij. Policët tregojnë se ata kanë shoqëruar makinat e të plagosurve që nga qytetii Laçit. Ndërkohë i plagosuri tjetër, Viktor Fufi nuk ndodhej në ambientet e Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Mjekët pohuan se ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e rëndë. "Për këtë arsye ai është lënë i lirë që të largohet nga spitali ndërsa shoku i tij po ruhet nga policët",- thanë dje mjekët. Por ata nuk dinin nëse policët ishin aty për të arrestuar të plagosurin apo për të ruajtur atë nga ndonjë hakmarrje e mundshme. K. Kotorri
Të afërmit e të plagosurit pohojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Plagoset për herë të dytë brenda një viti
Familjarët: Eduartin e sulmuan persona që nuk i njihte
TIRANË- "Policia do të marrë sërish të pandehur Eduartin, e njëjta gjë siç i ndodhi një vit më parë" u shpreh një nga familjarët e të plagosurit Eduart Trokthi teksa priste në hollin e Spitalit Ushtarak. Sipas tij, rreth një vit më parë 27-vjeçari po shkonte të takonte kushërinjtë e tij kur krejt rastësisht u përball me një përplasje mes dy bandave. Nga shkëmbimi i zjarrit mes dy bandave, një plumb depërtoi në këmbën e Trokthit. "Eduarti nuk tregoi se cilët ishin autorët që e qëlluan, dhe policia e nxori të pandehur, gjë të cilën po përsërit edhe sot",- tregon një nga të afërmit e të plagosurit, i cili nuk dëshiroi të tregonte emrin. Të afërmit e të plagosurit treguan dje për gazetën 'Shekulli" se Eduarti ka qenë në qendër të Laçit bashkë me shokun e tij Viktor Fufi, kur disa persona të armatosur u janë afruar dhe i kanë qëlluar me pistoletë. Për pasojë të dy këmbësorët mbetën të plagosur. "Nuk e dimë motivin e ngjarjes. Eduarti nuk ka bërë debat me asnjë person. Policia duhet të gjejë autorët është puna e tyre, dhe jo të ruajë Eduartin në spital" treguan të afërmit e 27-vjeçarit i cili prej kohësh nuk është i angazhuar me punë. Ndërkohë ata nuk kanë pohuar asgjë në lidhje me të plagosurin tjetër, personin që ka qëlluar mbi Eduart Trokthin. K. Kotorri
TË PLAGOSURIT
Viktor Fufi, i plagosur me një plumb në këmbë. Mjekohet në Spitalin Ushtarak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën
Eduart Trokthi i plagosur në të dyja këmbët. Mjekohet në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet ende nën ruajtjen e policisë
Armir Reçi, i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit dje në Laç. Është dërguar në spitalin e Durrësit për të shmangur përplasjet
Ngjarja
Viktor Fufi dhe Eduart Trokthi ndodheshin në një nga rrugët kryesore të qytetit të Laçit kur janë ndeshur me Armir Reçin. Ky i fundit ka nxjerrë një pistoletë dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre
Plagosja
Fufi dhe Trokthi janë kundërpërgjigjur edhe ata duke qëlluar me armë zjarri. Të tre kanë zënë pozicione "luftimi" dhe kanë qëlluar pa pushim deri sa janë plagosur nga plumbat e njëri- tjetrit
Banorët
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.00 në një kohë kur rruga ishte e mbushur me njerëz. Nga frika e plumbave ata janë shtrirë në asfalt ose janë fshehur në vende të tjera deri sa ka mbaruar shkëmbimi i zjarrit
Policia
Kur ka mbaruar gjithçka policia lokale ka marrë tre të plagosurit duke i dërguar në spital. Për të parandaluar ndonjë përplasje tjetër, policia ka dërguar Reçin në spitalin e Durrësit e 2 të tjerët në Tiranë