E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Letër ministrit Barka për 2 mijë lekëshin e fëmijës tim"

 
 
 
 
I nderuar "Shekulli"! Quhem Surja Imer Rustani, banor i Lagjes Popullore, Shijak. Pensionist, si unë edhe bashkëshortja ime, Drita Isuf Rustani, kemi një djalë 12-vjeç. Personalisht kam qenë i dënuar me 25 vjet burg politik, ndërsa si familje kam 54 vjet burgim politik dhe një vëlla të vdekur në burg.
Nëpërmjet rubrikës suaj, të cilën na e sugjeroi një mike e familjes, duam t'i drejtohemi ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, z.Kosta Barka. Ne, regjimi komunist na shkatërroi familjen, na mori rininë, na nxori në vitin 1991 të sakatosur, ju personalisht me cilësinë e një ministri të kohës së demokracisë mundoheni dhe na keni dënuar me vdekje, por me efekt të ngadaltë? Këtë nuk mund ta realizoni, i nderuar ministër, pasi edhe ministritë në regjimin komunist nuk e realizuan qëllimin e tyre, por panë me sytë e tyre me litarin në qafë, strategun e tyre të hiqej zvarrë.
***
Në muajin Qershor 2007 shtesa që merrnim për fëmijën tonë 2.000 lekë të vjetër secili prind, na ndalohet të dy prindërve. Preteksti: Duhen përsëritur dokumentet. Brenda ditës i bëmë dhe i dorëzuam, pas dy muajsh shtesa ime vjen, por humba muajt që nuk kisha marrë. Ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Ndërsa bashkëshortja ime po bën afro 7 (shtatë) muaj dhe akoma nuk i ka marrë. Me kërkesën tonë të vazhdueshme në degën e Sigurimeve Shijak, na është thënë: "Ne dokumentet ia kemi dërguar Durrësit, por ai nuk po i sjell. Më dt.05.12.2007 punonjësja e degës së Sig.Shoq.Shijak e ka marrë vetë kartelën në dorë dhe është paraqitur në ISSH-në Durrës, për të rregulluar vetë këtë punë, por për çudi kur kthehet thotë se dokumentet kanë humbur në ISSH Durrës.
I nderuar ministër, ju thashë është hera e dytë që ju drejtohem ju si ministër, për të njëjtin problem, por asnjëherë nuk u shqetësuat. Unë ju drejtova ju si ministër, nuk ju drejtova "SUDES" që mblodhi paratë e popullit (firmë piramidale), prandaj që sot si po ju drejtohem juve do t'i paraqes ankesë Kryeministrit, direkt në adresën tuaj, po ashtu do të vë në dijeni Presidentin e Republikës dhe Parlamentin Shqiptar.
I nderuar ministër, me votat tona ju e zutë atë karrige, por një burrë i mençur ka thënë: "Që të mbash karrigen duhet prapanicë e fortë". Ju theksoj Z.Ministër, bëni detyrën tuaj, mos u tallni me kafshatën tonë të gojës. Ju kërkoni taksat, ujë, drita, telefon, taksat e pastrimit, por unë nuk mund t'ia dal vetëm me ilaçet që i kam për gjithë jetën, nga pasojat e Burgut të Burrelit. Pra i nderuar Z.Ministër edhe njëherë kërkoj nga ju ta tregoni veten se jeni ministër, se jeni në shërbim të atyre që iu dhanë votën. Juve kontrolloni ISSH Durrës dhe do të shikoni atje sa dosje si puna jonë, janë duke fjetur, si kap njeri me dorë.
Pres urgjentisht të ndërhyhet nga ana juaj, për problemin e familjes sime (Drita Isuf Rustani) dhe të dërgohet shtesa e djalit, nga dita që është ndërprerë ky kompensim. Faleminderit "Shekullit" për këtë mundësi komunikimi!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›