E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbim zjarri nga makina në makinë, panik në Shkodër

Një ngjarje e rëndë, që për fat nuk ka shkaktuar viktima, ka
ndodhur dje në mesditë në periferi të qytetit të Shkodrës, pranë
shkollës së mesme pyjore. Disa persona kanë shkëmbyer zjarr nga
makina në makinë, në ecje e sipër. Policia ka sqaruar se nuk dihen
ende autorët dhe motivet. Policia është duke thënë edhe nëse zjarri
është hapur nga njëra apo nga të dyja makinat. Në vendin e ngjarjes,
nga grupi hetimor, janë gjetur disa gëzhoja automatiku dhe pistolete,
të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sipas
policisë, në këtë ngjarje janë përfshirë dy makina, një "FIAT Tipo"
dhe një "Mercedes Benz". Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes,
shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur për pak minuta dhe janë parë dy makina
të cilat ecnin paralel me njëra-tjetrën. Me gjithë të shtënat e
armëve që kanë zgjatur për pak minuta, dëme në njerëz nuk ka pasur.
Situata e krijuar ka shkaktuar panik tek kalimtarët dhe banorët e
zonës, të cilët kanë mundur t‘i shpëtojnë breshërisë së plumbave.
Për të sqaruar më shumë ngjarjen, policia ka shoqëruar disa persona
që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Nga ana tjetër, pista e
hetimit të policisë është se kemi të bëjmë me një ngjarje të parapërgatitur
dhe jo të çastit. Vetëm dy muaj më parë, e njëjta skenë paniku
u krijua në hyrje të Shkodrës, ku dy grupe rivale shkëmbyen ashpër
zjarr mes njëri-tjetrës, teksa ecnin me makina paralelisht. Këto
skena të ngjashme me ato të filmave me subjekt bandat rivale, që
përleshen mes rrugëve, duket se po bëhen të zakonshme në Shkodër.
Duket se policia është inekzistente për personat të cilët guxojnë të
shkëmbejnë zjarr në rrugë të populluara të qytetit, duke rrezikuar
dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›