Haiti, mbërrijnë trupat amerikane
Helikopterët ulen mbi Presidencë dhe ofrojnë ndihma e medikamente
Helikopterët e ushtrisë amerikane janë ulur mbi gërmadhat e pallatit presidencial të kryeqytetit të Haitit për të shpërndarë trupat ushtarake, si dhe ndihma të ndryshme në ushqime dhe në medikamente. Tashmë në Haiti është piku i operacionit të shpërndarjes së ndihmave. Helikopterët amerikanë kanë marrë në ruajtje edhe objekte të rëndësishme si godinën e rrëzuar të Presidencës, spitalin kryesor e të tjera. Mbërritja e amerikanëve ka bërë që të grumbullohen turma të mëdha njerëzish rreth pallatit në kërkim të ndihmave dhe ushqimeve. Për përshpejtimin e shpërndarjes së ndihmave, OKB ka vendosur edhe shtimin e numrit të trupave të saj paqeruajtëse në Haiti. Ndërkaq, sipas mjekëve që kanë një nga impenjimet më të mëdha për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzisht, frika më e madhe është plasja e epidemive për shkak të mungesës së kushteve më minimale të higjienës. Sipas shifrave të OKB-së, deri më tani ndihmat kanë mbërritur në duart e 270 mijë haitianëve ”Situata është e tensionuar, por e qetë. Sigurisht që ka grabitje, sepse popullsia është në nevojë, por nuk ka ngjarje për t’u shqetësuar”, ka bërë të ditur një zëdhënëse e OKB-së. Në vendin e dëmtuar ndodhen nën veprim 52 skuadra të ndihmës së shpejtë dhe të shpëtimit nga e gjithë bota. Ata po punojnë pa reshtur që të shpëtojnë sa më shumë njerëz që mund të ndodhen nën gërmadha. Deri tani janë shpëtuar disa dhjetëra, por të tjerë dyshohet të gjenden nën mure. Mbi 11 mijë persona të personelit ushtarak amerikan ndodhen në terren përfshi 2200 marinsa. Presidenti i vendit, Rene Preval, tha se trupat amerikane do të ndihmojnë PKB-në që të mbajnë rendin në kontroll në Haiti aty ku trupat e OKB-së dhe ato vendase nuk mundin që t’i përgjigjen situatës. Burime të Pentagonit kanë bërë të ditur se roli i tyre nuk është ai i “pushtuesit”, siç deklaruan dje zyrtarët e lartë francezë, por ai i shpëtimtarit. Një nga problemet më të mëdha të momentit është mbipopullimi i spitaleve me të plagosur dhe të sëmurë dhe nevoja për pajisje dhe ilaçe. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë të martën të paktën 13 spitale kanë qenë në gjendje pune në kryeqytet. Për momentin nuk ka kaluar ende situata e emergjencës dhe se rreziku i madh është ai i shpërthimit të mundshëm të kolerës dhe tetanosit. Në Haiti SIDA, tuberkulozi dhe malaria janë sëmundje që bëjnë kërdinë vazhdimisht. Shumë fëmijë janë të kequshqyer që do të thotë se nuk kanë mundësi që ta përballojnë sëmundjen dhe goditjen. Gjatë këtyre ditëve janë rritur shumë edhe çmimet e naftës, si dhe të lëndëve djegëse. Ndërkohë, ka edhe disa shenja të rikthimit në normalitet si dalja e shitësve të produkteve ushqimore nëpër rrugë. Vende të ndryshme të botës kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar konkretisht Haitin në këtë moment shumë të vështirë të tij dhe Presidenti Preval u ka bërë thirrje donatorëve që të përqendrohen jo vetëm te ndihma e menjëhershme për vendin, por kryesisht te ndihma që do të duhet për rindërtimin e tij dhe shkëputjen nga varfëria e tejskajshme që e karakterizon dhe që e ka kthyer në një prej vendeve më të varfra të botës.
#