Vjosa ndryshon rrjedhë, zapton 4 hektarë tokë
Fier
Lumi Vjosë, që përshkon një pjesë të madhe të Qarkut të Fierit, ka ndryshuar rrjedhë. Ndryshimi i shtratit të Vjosës ka bërë që uji të zaptojë 4 hektarë tokë, ndërkohë që një fshat rrezikohet seriozisht të përmbytet. Situata është më alarmante në Komunën e Cakranit, në fshatin Gorishovë ku sipërfaqja e përfshirë nga shtati i lumit shkon në rreth 4 hektarë tokë bujqësore e mbjellë. Përparimi i lumit ka ardhur nga muaji në muaj. “Nëse vijon me këto parametra, Vjosa do të shkaktojë më tepër dëme dhe do të rrezikojë një lagje të fshatit Varibop”, shprehen specialistë të komunës. Mësohet se komuna ka kërkuar nga prefektura dhe qeveria që të ndërhyhet për t’i bërë pritë përparimit të lumit. Prefektura nuk ka premtuar ndërhyrje, ndërkohë që në qeveri ende nuk është dërguar një projekt konkret për ndërtimin e pritave.
#