Shkencëtarët: Akullnajat po shkrihen me ritëm të shpejtë

Akullnajat në Groenlandë dhe Antarktidë po shkrihen me një ritëm më të shpejtë, është ky konkluzioni në të cilin kanë arritur shkencëtarët sipas studimeve më të fundit.
Rezultatet tregojnë se shkrirja e shtresave të akullit po bëhet kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të detit më shumë se sa pritej. Ky ishte një ndër studimet më të gjata të bëra deri tani në lidhje me akullnajat.
Bazuar në matjet që kanë zgjatur prej dy dekadash, përmes satelitit dhe duke studiuar modelet klimatike rajonale, rezultatet janë të qarta, thotë autori kryesor i këtij studimi Erik Rigno.
“Ajo që po vërejmë në Groenlandë dhe Antarktidë është humbja më e shpejtë e masës së akullnajave. Dhe këto shtresa jo vetëm që po shkrihen në oqean, por humbja e masës po rritet nga viti në vit- sqaron ai.
” Autorët kanë vënë re se shkrirja e akullnajave që mbulojnë pjesë të mëdha toke po ndodh tre herë më shpejt se sa shkrirja e akullit në male. i Rigno, ekspert i akullnajave në Universitetin e Kalifornisë dhe në një Laborator të Nasës, thotë se kjo nuk ishte e papritur.
Të dhënat nga studimi parashikojnë se deri në vitin 2050, niveli i detit do të rritet me 32 centimetra, 15 prej të cilave do të jenë nga shkrirja e akullnajave në Groenlandë dhe Antarktidë, në se ky proces vazhdon me ritmin e tanishëm. Rigno thotë se kjo është shumë më e lartë se sa ishte parashikuar nga Komisioni Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimin e Klimës.
Po sipas rignos, studimi vërteton se ngrohja globale është shqetësim i madh dhe i vërtetë, veçanërisht për njerëzit në zonat bregdetare, të cilëve u jep pak kohë për të reaguar ndaj rritjes së nivelit të detit. Ai thotë se ngrohja e oqeaneve mund të përshpejtojë edhe shkrirjen e akullit në pole.
Rigno thotë se është e rëndësishme që të vazhdojë monitorimi i akullnajave dhe duke përdorur këtë informacion të kombinuar me të dhënat historike, të ndërtohen modele që mund të parashikojnë më mirë shkrirjen e akullnajave gjatë shekullit të ardhshëm.