E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shkencëtarët: Temperaturat në Grenlandë, më të lartat të regjistruara në 1000 vjet

Ndërsa temperatura e planetit rritet, shkencëtarët po shpojnë bërthama akulli në Grenlandë për të analizuar se si kriza klimatike ka ndikuar në ishull gjatë viteve. Sa më thellë që shponin, aq më larg shkonin në kohë, duke i lejuar ata të dallonin se cilat luhatje të temperaturës ishin të natyrshme dhe cilat ishin të bëra nga njeriu.

Pas vitesh kërkimesh mbi shtresën e akullit të Grenlandës, shkencëtarët raportuan të mërkurën në revistën Nature se temperaturat atje ishin më të lartat në të paktën 1000 vjet, dhe konkretisht midis 2001 dhe 2011, ato ishin mesatarisht 1.5 gradë Celsius më të larta se sa ishte gjatë shekullit të 20-të. Autorët e raportit thanë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit luajtën një rol të madh në rritjen dramatike të temperaturave në rajonin kritik të Arktikut, ku shkrirja e akullit ka një ndikim të madh global.

“Grenlanda është aktualisht kontribuesi më i madh në rritjen e nivelit të detit,” tha Maria Hörhold, autorja kryesore e studimit në Institutin Alfred Wegener.

Dhe nëse vazhdojmë me emetimet e karbonit siç po bëjmë tani, atëherë deri në vitin 2100, Grenlanda do të ketë kontribuar deri në 50 centimetra në ngritjen e nivelit të detit dhe kjo do të prekë miliona njerëz që jetojnë në zonat bregdetare.

Të kuptuarit e së kaluarës, shtoi Hörhold, është e rëndësishme për t’u përgatitur për pasojat e ardhshme.

“Nëse duam të mësojmë për ngrohjen globale, duhet të kthehemi pas në kohë – në epokën para-industriale, kur njerëzit nuk lëshonin dioksid karboni në atmosferë”, tha ajo.

Megjithatë, gjatë epokës para-industriale, nuk kishte stacione meteorologjike në Grenlandë që mblidhnin të dhëna për temperaturën si sot. Kjo është arsyeja pse shkencëtarët janë mbështetur në të dhënat e paleoklimës, të tilla si bërthamat e akullit, për të studiuar modelet e ngrohjes së rajonit.

Ngrohja në shtresën e akullit të Grenlandës po i afrohet një pike ku nuk mund të ketë më kthim pas, thonë shkencëtarët, e cila mund të shkaktojë një shkrirje katastrofike. Groenlanda ka mjaft akull saqë nëse i gjithë shkrihet, mund të rrisë nivelet globale të detit me rreth 24 metra, sipas NASA-s. Sipas një studimi të ri, deri në gjysma e akullnajave të botës mund të zhduken edhe nëse miratohen objektiva ambicioze klimatike./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›