E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkencëtarët paralajmërim për shkrirjen e akullnajave

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh thotë se shtresa e sipërme e akullit në Groenlandë po shkrin me ritme shumë më të shpejta se shtatë apo tetë vjet më parë.
Një nga shkencëtarët i tha BBC-së se më shumë se 1.5 trilionë ton akull ka shkrirë që prej vitit 2000.
Autorët e këtij studimi shpresojnë se ai do të shtojë ndjenjën e urgjencës për të vepruar në samitin për klimën që do të zhvillohet në Kopenhagë muajin e ardhshëm.
Shkencëtarët përdorën të dhëna satelitore, informacionin e shërbimit sinoptik dhe disa modele kompjuterike për të treguar se humbja e masës së akullit në Groenlandë ka patur ritme më të shpejta gjatë dekadës së fundit.
Ata thonë se këtu ka pasur dy procese të veçanta - temperaturat më të larta të ajrit po shkaktojnë shkrirjen e sipërfaqes së akullit në një masë më të madhe dhe po shtohet numri i blloqeve të akullit që shkëputen nga akullnajat dhe shkojnë në det.
Çdo vit niveli i detit po rritet edhe gjysmë here më shumë se ritmet e shtatë apo tetë vjetëve më parë.
Po të shkrihet i gjithë akulli i Groenlandës, niveli i ujit të detit në shkallë globale do të rritet me afro shtatë metra.
Nëse temperatura në zonën e Arktikut vazhdon të rritet, ritmet e shkrirjes së akullnajave do të shpejtohen.Megjithatë, shkencëtarët thonë se zhdukja krejtësisht e akullnajave ka pak gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›