Shkëndija biblike e Migjenit
Deri më sot nuk i është kushtuar asnjë studim i posaçëm vjershës Shkëndija të Migjenit, ashtu si një vargu të gjatë krijimesh të tjera të tij. Shkëndija vlerësohet në kuadër të ciklit Kangët e Ringjalljes si thirrje drejtuar kombit për tu zgjuar dhe për të flakur tej prangat e tij (A. Pipa), si shprehëse e tendencës drejt një triumfi, drejt një bote të re dhe një perspektive të ndritur (S. Fetiu), duke qenë shkëndija ndërkaq vetë poeti, i cili, bashkë me disa pak të tjerë, po shëndriste te qiella arbnore dhe që populli e vështronte i lumtur (M. Gurakuqi).
Na dëshmohet ndërkaq vlerësimi që një mik i bën Migjenit për poezinë Shkëndija: Të lindet njeriu, Zgjimi, Shkëndija, e ndonjë tjetër [] për mue janë kryevepra. Shkëndija për shembull asht vërtet e bukur, sepse ka edhe pak profeci brenda. Kjo shkëndi mund ti napë flakë tanë qiellës arbënore, vlerësim ndaj të cilit Migjeni reagon me fjalët Nuk na vlejnë analizat. (L. Radi)
Hipoteza jonë është se te Shkëndija e Migjenit kemi një variant letrar të parabolës a mitit biblik të birit të humbur. Riprodhojmë në krye të herës të dy tekstet.
Ungjilli sipas Lukës, 15: 11-32
1 U tha gjithashtu: Ishte një njeri që kishte dy djem. 12 Dhe i tha më i vogëli të atit: Atë, më jep atë që më takon nga pasuria. Dhe ua ndau atyre pasurinë. 13 Dhe pas pak ditësh, si i mblodhi të gjitha çkishte, djali i vogël u largua në një vend të largët, dhe atje e prishi gjithë pasurinë e tij duke jetuar si plangprishës. 14 Si i prishi të gjitha, ra uri e madhe në atë vend dhe ai filloi të mbetet ngushtë. 15 Atëhere vajti e iu ngjit një qytetari të atij vendi, i cili e dërgoi në arat e tij që të kulloste derrat. 16 dhe dëshironte të mbushte barkun me lende që hanin derrat, po askush nuk i jepte. 17 Si erdhi në vete, tha: Sa rrogëtarëve të tim eti u tepron buka dhe unë tretem nga uria! 18 Do të ngrihem e do të vete tek im atë dhe do ti them: Atë, kam mëkatuar përpara qiellit e përpara teje; 19 dhe nuk jam më i denjë të quhem yt bir; bëmë dhe mua një nga rrogëtarët e tu. 20 Dhe u ngrit e vajti tek i ati. Dhe ndërsa ishte akoma larg, e pa i ati dhe iu dhimbs, dhe u sul, e mori për qafe dhe e mbuloi me të puthura. 21 Dhe i biri i tha: Atë, mëkatova përpara qiellit dhe përpara teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. 22 Dhe i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni rrobat më të mira dhe visheni, dhe vërini unazë në dorë dhe këpucë në këmbë. 23 Dhe si të sillni viçin e zgjedhur, thereni, dhe të hamë e të gëzohemi, 24 se ky im bir ishte i vdekur dhe u ngjall; i humbur ishte, dhe u gjend. Dhe filluan të bëjnë hare. 25 Ishte edhe djali i tij i madh në arë; dhe duke u kthyer, ndërsa po i afrohej shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26 Dhe si thirri njërin nga shërbëtorët, e pyeti që të mësonte se çishin këto. Dhe ai i tha se Yt vëlla u kthye; dhe yt atë e theri viçin e zgjedhur, se u gëzua që u kthye shëndoshë e mirë. 28 Dhe ai u nxeh dhe sdonte të hynte brenda. Atëhere pra i ati doli jashtë dhe i lutej. 29 Po ai iu përgjigj të atit dhe i tha: Ja, kaq vjet punoj për ty, dhe asnjëherë nuk dola prej urdhrit tënd, dhe mua asnjëherë nuk më dhe një kec që të gëzoj me miqtë e mi. 30 Po kur erdhi yt bir, që të hëngri gjënë me gra të përdala, për të there viçin e zgjedhur. 31 Dhe ai i tha: Bir, ti je gjithnjë me mua, dhe gjithë gjëja ime është jotja. 32 Po duhej të ngazëlleheshim e të gëzoheshim, se ky yt vëlla ishte i vdekur, dhe u ngjall, i humbur ishte, dhe u gjet.
Migjeni, Shkëndija
Nga zjarmi i votrës u shkëput një shkëndí
dhe nepër oxhak u versul në lirí,
nepër mes terrsinës
muer udhën e qiellës
dhe në mes hyjve të natës
zû vendin e Hanës.
Ndritë shkëndi e gjallë në qiellë plot me hyje,
ndritë shpirti i ri, lidhë me tarta nyje
nyjet e dashnís,
dashní e fëminís
për të mjeruemët në botë
që vuejnë, derdhin lotë.
Sa bukur shkëndija xhixhillon nerrsinë,
vallzon bashkë me hyje dhe andrron lumnín…
e poshtë votra fiket,
pranë saj zêmra liget,
zêmra e një plaku
i cili del té praku
dhe ngreh shkopin në hyje shkëndín për me gjetë,
rrebelin, që votrën e shtëpís e la të shkretë…
O ti fëmi i ri!
E zjarta shkëndí!
Pse votrën e le?
Më thuej: pse? Pse?
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
E shkëndija, hyjet, të tânë qiella arbnore
në nett e argjenta, të reja – po si hark kunore
zbret mbi shtëpija tona…
e na gëzohna, gëzohna…
dhe puthim agimin…
- qashtu rrfejmë gëzimin
E cilësuar njëzëshëm si më e bukura e Shkrimit të Shenjtë, parabola e birit të humbur a birit plangprishës, që Krishti na rrëfen në Ungjillin e Lukës, ka frymëzuar një radhë gjenish të pikturës e skulpturës, duke lënë gjurmë të forta para së gjithash në letërsi. Dante (Komedia Hyjnore), Manxoni (Të fejuarit), Franz Kafka (Kthimi në shtëpi), André Gide (Kthimi i birit plangprishës), Rainer Maria Rilke, Gabriele DAnnunzio, Oscar Wilde, janë vetëm disa nga rikrijuesit e mitit a parabolës së birit të humbur në letërsinë e përbotshme.
Elementi bazë i analizës së krahasuar të miteve është, siç dihet, individualizimi i njësive invariante që përcaktojnë në marrëdhëniet e tyre strukturore skenarin apo modelin mitik të pandërprerë, domethënë atë që siguron transmetimin e identitetit të mitit dhe të rezistencës së tij përmes vijimësisë historike të varianteve të vet të ndryshëm.
Mund të flasim për katër elemente strukturorë kryesorë të parabolës biblike: 1. Humbja e birit 2. Kërkimi i tij 3. Rigjetja dhe gëzimi që e shoqëron këtë 4. Ndarja festive me të tjerët e ngjarjes së lumtur.
Në vijat më të përgjithshme këtë skemë strukturore e gjejmë të plotë te Shkëndija. Mund të thuhet ndërkaq se variantet paramigjenianë të parabolës së birit të humbur, përfshirë këtu edhe ato të letërsisë moderne janë të druajtur në raport me paratekstin, avancimi i tyre i matur përpara transfigurimit gjenial që i bën parabolës biblike Shkëndija e Migjenit.
Për çtransfigurim është fjala?
Së pari, të sjellim në kujtesë thelbin e parabolës: parabola përkufizohet si trajtim i një çështjeje pragmatike përmes një tabloje të përshtatshme analoge me të. Çështja pragmatike përbën, të themi, kornizën e parabolës; tabloja, ndërkaq, parabolën e mirëfilltë.
Te Shkëndija kemi shkrirjen në një, dhe kjo nuk ndodh gjetiu, të kornizës me tablonë, të mësimit që kërkon të ngulisë Krishti: Ju them se kështu do të bëhet gëzim
