Berisha: Gjithçka për të krijuar mjedisin më liberal për tregun
Kryeministri, bashkëbisedim me biznesin për reformën rregullatore
“Tregtia e lirë dhe ndërmarrja e të gjitha hapave të mundshëm në këtë drejtim është garancia që qeveria Berisha jep për biznesin”.
Në bashkëbisedimin e tij me përfaqësuesit e biznesit, të zhvilluar sot në mbledhjen e taks forcës rregullatore të tregtisë, kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm që të mirëpresë të gjitha propozimet e ardhura prej kësaj kategorie, e vlerësuar si gjenerator i zhvillimit ekonomik në vend.
“Në të gjithë përpjekjen tonë për lirinë e tregut, ne kemi bërë një hap shumë të madh përpara në drejtim të heqjes së 2/3 të licencave. Në këtë proces në mënyrë të pashmangshme, pasi licencat askush nuk do t’i heqë, se janë si pikat e mjaltit të korrupsionit, përfitimeve, kontrollove etj., me heqjen e tyre, për një arsye apo një tjetër, ka pasur shndërrim të tyre në autorizim. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se eksperienca e këtyre viteve, pas dy vjet funksionimi me sukses të plotë Qendra Kombëtare e Licencimit, jep informacionin e saktë për qëndrimet që duhet të mbahen. Shqipëria është e vendosur të krijojë mjedisin më liberal dhe më të lirë për tregun. Nga njëqind kënde po ta vështrosh rritjen ekonomike, gjeneratori kryesor i saj është liria e tregut, është tregtia e lirë. Asgjë nuk ka rëndësi më jetike, sesa tregtia e lirë. Në mënyrë të padiskutueshme, taksat janë të rëndësishme, në mënyrë të padiskutueshme burimet janë të rëndësishme, po ashtu një sërë faktorësh të tjerë janë të rëndësishëm, por e para, e dyta, e treta, në distancë, është liria e tregtisë. I tërë ky proces duhet të ketë kontrollin më minimal të mundshëm, sepse kontrolli me licenca e autorizime është vetëm ndrydhje e saj. A mundet që ato të mos ekzistojnë? Nuk mundet aspak, sepse shoqëria duhet të ketë një mekanizëm për të mbrojtur edhe tregun, edhe qytetarin. Por është e mundshme që ato të minimizohen në mënyrë të vazhdueshme, është absolutisht e mundur që administrata t’ju konsumojë sa më pak kohë biznesmenëve, është plotësisht e mundshme që administrata të shmangë të gjitha format e presioneve ndaj tyre”, u shpreh Berisha. Madje, një propozim e bëri dhe vetë Kryeministri.
“Ka hapësira për lehtësira të mëtejshme dhe ne jemi të hapur për të mirëpritur çdo propozim tuajin. Të heqim çdo pengesë që nuk ka detyrim ndërkombëtar”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Në këtë vazhdë, Berisha u ndal dhe tek autorizimet, ku sipas tij, mund të mblidhen në një sportel.
“Autorizimet mund ti çojmë në një sportel, megjithatë nuk mund të mohoj se disa nga licencat u shpallën nën trysni, dhe u shpallën autorizimet. Qëllimi është se çfarë të thjeshtojmë në shkallën maksimale, para së gjithash për lirinë e tregut. QKL, edhe ajo vetë ka nevojë të na thotë se cilat licenca mund ti nxjerrë, ti shndërrojmë në vetëdeklarime. Burokracia është e paimagjinueshme. S`duhet që ne një praktikë që mund ta përmirësojmë të mos e lëvizim me shpejtësi. Është e sigurt që kemi bërë hapa gjigantë përpara, në drejtim të një klime të favorshme, por hapa shumë të rëndësishëm janë për t’u bërë”, deklaroi Berisha.
Reforma e inspektimit eliminon abuzimet ndaj biznesit
Kryeministri Berisha deklaroi se suksesi i vërtetë i reformës së inspektimit do të shihet nga zbatimi i saj.
Kreu i qeverisë e cilësoi reformën e inspektimit si shumë të rëndësishme pasi sipas tij do të bëjë të mundur eliminimin e inspektimeve abuzuese ndaj biznesit.
“Reforma e inspektimit është një nga reformat më të mëdha dhe më të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Dhe kjo ka pasur një synim heqjen nga shpatullat tuaja të barrës së rëndë të inspektimeve të cilat po grabisin 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1 mijë euro në mesatare”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, “është bërë një punë e jashtëzakonshme për të thjeshtuar nga 36 në 11 inspektoriate, për të krijuar një inspektorat qendror me qëllimin e vetëm do të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve mbi ju”. Gjithashtu shtoi kryeministri, “po vendoset sistemi on-line që inspektorët të lënë gjurmë dhe mos të vijnë tek ju sa herë t’u teket. Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, dhe një përpjekje në luftën kundër arbitraritetit dhe një përpjekje shumë e madhe për një kontroll të ndershëm”.
“Ka mbi 2 vjet që punohet në këtë reformë, janë ndryshuar me dhjetëra ligje dhe po ecet drejt instalimit të këtij sistemi të ri. Kemi zgjedhur sistemin më modern që ekziston dhe kjo kërkon një bashkëpunim me ju për ta kthyer në një histori suksesi”, tha Berisha.