Ka filluar apo jo konsulenca Bler?!
Ndoshta unë, ngaqë raportoj nga Londra, do isha parimisht në një pozicion më të përshtatshëm për të dhënë një përgjigje sado të vërtetë rreth kësaj enigme, si ato të Agatha Kristit.
Por një sërë faktorësh që lidhen më shuma të panjohura monetare në këtë lojë, nevoja për ruajtje sekreti, dhe një mentalitet dhe mungesë transparence, mund të shpjegojnë vështirësitë për shkuarjen deri në fund të këtyre pikëpyetjeve që duan përgjigje nga publiku shqiptar.
Nuk është e lehtë që duke qenë se je gazetar dhe apriori mund të kesh akses në qarqe dhe të mësosh se çfarë ndodh realisht pas kuintave.
Personalisht kam bërë gjithçka me sa më lejon profesioni, madje edhe duke kaluar etikën dhe vetveten, dhe aq sa më lejojnë mundësitë praktike, duke kontaktuar të dyja palët, shqiptaren dhe atë britaniken, më saktë qarqet e Ramës dhe të Blerit për të mësuar, duke mos bërë kujdes për naivitetin e perceptuar, pra për të mësuar më shumë rreth dritë-hijeve, në emër të atyre që po lexojnë këtë shkrim, të konsulencës së ish- kryeministrit britanik për kryeministrin në pritje të Shqipërisë.
Nuk mund të them se ka mungesë dashamirësie sesa ngurrim për të ndihmuar deri në fund për të zhbiriluar dhe kontaktuar ata që do duhet të japin dhe dinë detajet e konsulencës dhe nëse ajo ka filluar ose jo.
Përgjithësisht kur ka gjëra që do të duhen mbajtur larg syve dhe veshëve të publikut, pavarësisht nga arsyet qofshin këto edhe shtetërore, bllokohet aksesi dhe të vërtetën e mbulon errësira e nëntokës politike.
Kështu ndodhi në Shqipëri dhe u kritikua me të drejtë kryeministri në ikje, për lidhjet e tij okulte me Podestën, dhe kështu duket hëpërhë se po ndodh me Ramën dhe Blerin.
Sot Shqipëria ka një kryeministër të Rilindjes, që nënkupton se gjithçka do të duhet të kalojë përmes dritës së transparencës.
Hapja me publikun për të marrë vesh se si do të qeverisësh ndryshe është e pakta dhe më minimalja e pritshme. Kjo mbetet të paktën ajo që do të duhet të vij nga një kryeministër në pritje.
Fillimisht, nëse do të duhet të qeveriset ndryshe nga Berisha, dhe pse je kryeministër në pritje, nuk është serioze dhe për hir të protokollit, si një nga elementët që dallon një shtet serioz nga një shtet tipik i habitatit afrikano-qëndror, që në ambasadën shqiptare në Londër nuk ka kurrfarë informacioni për një vizitë të tillë të kryeministrit në pritje, ndryshe nga sa u tha për mosdomosdoshmërinë e njoftimit dhe protokollit diplomatik për një udhëheqës opozite në rastin e Vjenës së famshme.
Është e pafalshme që përfaqësuesit më të lartë të shtetit në vendin që viziton si kryeministër në pritje dhe jo si qytetar dosido, të mos ketë të paktën një njoftim dhe që lajmi merret nga mediat.
Kjo është tejet jo serioze deri në kufijtë e qesharakes, edhe pse mund të justifikohet si një vizitë tek një kompani private konsulence.
Kjo mund të jetë e vërtetë, por kryeministri në pritje nuk vjen në Londër si person privat, për të pritur lindjen e foshnjës mbretërore apo për të vizituar Tate Gallery, por tek kjo kompani vjen në emër të qeverisë së ardhshme, ose moralisht të tashmes së shqiptarëve, dhe për tu konsultuar për punët e shtetit.
Dhe meqë ka ardhur, do të duhet të sqarohet për publikun ka filluar apo jo kjo konsulencë praktikisht, qoftë edhe përmes Twitter-it.
Mendja ma do që ka filluar, pasi jo Toni Bleri, por asnjë hidraulik në Angli kur kërkon një shërbim të tij, nuk ta ofron atë për shpirtin e Mbretëreshës, por ka tarifa paraprake përpara se të japë çmimin për punën kur të ketë bërë vizitën e parë në shtëpi.
Kështu do të duhet të ndodhë edhe në këtë histori, dhe nuk besoj se Toni Bler i ka hyrë kësaj konsulence për filantropi apo se ka rënë në dashuri dhe është mahnitur me Edi Ramën apo me tërë ata që drejtojnë që nga Brazili, Kolumbia e Mongolia së fundmi, të cilëve u jep këshilla.
Normalisht ai ka kompani private dhe ka tarifa të caktuara që do të duhet të bëhen transparente për të qenë, ndryshe nga Berisha.
Nëse është në fazën fillestare konsulenca, logjika elementare ta do që të dyja palët të kenë dhënë ose shqyrtuar ofertat për kësi konsulencash, që nisur nga ajo se cfarë çmimi kanë ato të kalibrit të ish kryeministrit britanik, zor se bien poshtë milionëshit.
Kësaj enigme për publikun, por jo për Ramën, ky i fundit do të duhet tua thotë shqiptarëve, pasi për të mirën e tyre po e bën, siç thotë edhe vetë, dhe nëse nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka përse nguron dhe nuk ka pse ta quaj ngutje të kotë atë që media kërkon në emër të publikut.
Shqiptarët e urryen ndër shumë të tjerash edhe mënyrën enigmatike të konsulencës Podesta nga Berisha, dhe nëse votuan për një ndërrim kuajsh, nuk e bënë që këta kuaj të rinj politikë të jenë të njëjtë si gërdalla që po ikën.
