E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Masafra, mesazh për festën e Pashkëve

SHKODËR- Në urimin e përvitshëm që bën për festën e Pashkëve, Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Masafra, është ndalur tek marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare dhe konkretisht asaj të komunitetit verior që ai mbulon. Duke vënë në dukje vlerat e Krishtit dhe të ringjalljes së tij, Masafra përcolli mesazhin për të qëndruar sa më larg hakmarrjes dhe korrupsionit dhe sa më pranë faljes dhe pajtimit.

Gjatë komunikimit me mediat në qytetin e Shkodrës, Masafra theksoi se Zoti Jezus, me shërbimin që na ka bërë përmes mishërimit, vdekjes dhe ngjalljes, është sikur t’i kishte ridhënë qënies njerëzore një strukturë shpirtërore të aftë për të bërë një jetë në të cilën vlerat ungjillore mund të praktikohen.

“Atyre që më thonë se është e vështirë apo e pamundur t’u qëndrosh besnik angazhimeve të çdo dite në familje, në shoqëri dhe në Kishë, unë u përgjigjem se është e mundur, pikërisht sepse Krishti na ka shëlbuar.

Atyre që më thonë se përballë urrejtjes-hakmarrjes, falja është e pamundur, unë i përgjigjem se është e mundur, pikërisht sepse Krishti na ka shëlbuar dhe na ka bërë të aftë të falim, sikurse ka bërë edhe Ai vetë në Kryq”, u shpreh Masafra.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›