E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Presidenti Topi i ftuar në iftarin tradicional

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte i ftuar mbrëmë nga klubi kulturor "Drita" i Shkodrës në iftarin tradicional që organizohet çdo mbrëmje pas agjërimit të përditshëm, përgjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Presidenti Topi përshëndeti të pranishmit, mes të cilëve ishin edhe përfaqësues të pushtetit vendor të Shkodrës dhe të Myftinisë, dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej mes tyre. "E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të kaluar këtë iftar së bashku në Muajin e madhërishëm të Ramazanit, ku padyshim është një moment shumë i rëndësishëm për çdo besimtar mysliman, madje do të thosha edhe një obligim në jetën e tij të besimit", deklaroi Topi.
"Për të arritur tek shteti ligjor, për të bërë këtë shërbim për qytetarët, një rol të rëndësishëm ka patur dhe ka edhe besimi tek Zoti. Zoti është një, pavarësisht se kemi besime të ndryshme, sot është një moment shumë i rëndësishëm për besimtarët myslimanë, dhe kjo ditë si iftari, edhe nëpërmjet asaj ftese, sot ne do të përçojmë tek të gjithë besimin te Zoti, besimin te shoqëria jonë. Ka mjaft njerëz që kanë nevojë për mbështetje, ka mjaft njerëz që janë besimtarë, ka mjaft njerëz që i drejtohen rrugës së besimit, por të gjithë së bashku me besimin te Zoti, me besimin tek institucionet, me besimin te shoqëria patjetër që do të jemi në rrugë të mbarë", deklaroi President i Republikës gjatë fjalës së përshëndetjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›