E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër-Tiranë, rruga që vret

Fund dimri. Me dhjetëra shqiptarë janë në Kolashinë, në Malin e Zi për të kaluar fundjavën në këtë stinë plot me reshje dëbore. Janë familje e grupe miqsh që shkojnë të argëtohen duke mësuar, a ushtruar sportin e skive. Është qendra dimërore jo vetëm më e afërta, 230 km nga Tirana, por edhe më shpejt e arritshme dhe me më pak burokraci kufitare për shqiptarët.

Gjatë udhëtimit të kthimit nga Kolashini drejt Tiranës, duket mirë se fqinjët tanë malazezë, ndryshe nga ne shqiptarët, e kanë me gjithë mend integrimin e tyre në Evropë. Rruga automobilistike malore, që shkon si përgjatë luginës së sipërme të lumit Tara, ashtu edhe gjatë rrjedhjes së Moraçës, është rikonstruktuar sipas parametrave të këtyre lloj rrugëve në Evropë. Ajo është e sigurt, me sinjalistikë vertikale, horizontale dhe ndriçuese, ndonëse me trafik të dendur. Udhëtimi përgjatë saj është i këndshëm dhe me bukuri natyrore. Tunelet e shumtë janë betonuar dhe po ndriçohen. Pastërtia është shembullore. Shërbimi i policisë rrugore është i pranishëm dhe në ndihmë të udhëtarëve. Restorantet ofrojnë kuzhinë ndërkombëtare dhe vendase me çmime të arsyeshme.

Nga Podgorica drejt Hanit të Hotit udhëtimi është i qetë, ndonëse rruga është e ngushtë.

Në kufi, malazezët kanë bërë rrugë të re, me një arkitekturë simpatike, ndërtesën e shërbimeve policore dhe doganore. Aty punonjësit flasin në tri gjuhë: serbo-kroatisht, shqip dhe anglisht, duke i dhënë pamje dhe standarde evropiane kufirit të tyre, duke e bërë atë kufi të Evropës me Shqipërinë.

Po në Shqipëri?

Kufiri është me kioska dhe me punonjës që nuk flasin as anglisht, as shqipen standarde. As që u afrohet shërbimi aty standardeve evropiane. Kushtet janë krejt ndryshe, madje edhe nga p.sh., pika kufitare e Qafë-Thanës. Pastaj fillon rruga automobilistike në të cilën mallkojnë udhëtarë dhe drejtues automjetesh. E ngushtë, gjithë gropa, me asfalt të vjetër dhe me grumbuj plehrash të hedhura për kilometra të tëra deri në Bajzë, Koplik e Shkodër. Me njerëz dhe bagëti në rrugë. Me lopë, dele e gomarë. Pa sinjalistikë. Përkundrejt të vijnë autovetura, furgonë e kamionë të rëndë, që rendin drejt Malit të Zi. Trafik marramendës. Lëvizje njerëzish dhe mallrash që të bëjnë t‘u ndërtosh rrugën dhe çfarë rruge se!? Të shpejtë dhe të sigurt! Ashtu si ato rrugë që janë në Evropë e në Malin e Zi. Por, në hyrjen veriore të Shkodrës rruga është aq rrëmujë, sa askush nuk e beson se është futur në një prej qyteteve më të vjetra të Ballkanit dhe të Evropës.

Bashkudhëtarët e refuzuan propozimin tim për një kafe në Kafen e Madhe.

"Ikim, ikim! E bëjmë pushimin rrugës!"

Futemi në daljen jugore të Shkodrës, të sapoinauguruar nga qeverisësit. Rreth dy kilometra. Pas saj, sa nuk ramë në lumë! Aty nuk ka sinjalistikë për të kuptuar kthesën majtas dhe futjen në urë! Më tej deri në kthesën e Vaut të Dejës, rruga e re nuk duket si e tillë. Shenjat rrugore horizontale janë shuar. Daljet dhe hyrjet në rrugë dytësore janë të rrezikshme. Mbi rrugë ka lopë, karroca, traktorë, motorë e këmbësorë, s‘ka sinjale. Është natë dhe nga çasti në çast ke frikë se dikë a dikush do të të përplasë. Rruga deri në Tiranë është vrasëse! Ajo mbi të cilën dëgjojmë të ndodhin vazhdimisht aksidente.

Pse ka shumë aksidente?

Sepse ajo nuk është bërë sipas standardeve që të sigurojnë lëvizjen e mjeteve mbi të. Ajo është bërë që të vrasë dhe po vret. Shenjat rrugore janë ato që ndihmojnë shoferët. Por shenjat rrugore mungojnë. Shoferi shikon një tabelë që tregon shpejtësi të lejuar 90 km në orë. Pastaj befas një tabelë 20 km në orë, shoqëruar me një shenjë "fëmijë në rrugë", sepse aty është një rrugë dytësore e patreguar. Rregulli e do që para tabelës 20 km në orë, të jetë njëra 40 km në orë dhe një tjetër 60 km në orë. Kështu shoferi ka kohë të ulë shpejtësinë dhe të kuptojë se në vendin që po kalon duhet të bëjë kujdes. Shenjat rrugore të patolerueshme janë ato që ndihmojnë të ulen aksidentet. Shenja vertikale, horizontale dhe me drita. Mosvënia e tyre ngarkon me faj përgjegjësit. Mosrespektimi i tyre është çështje edukimi qytetar dhe kontrolli policor. Heqja e tyre, si duket se ka ndodhur në rrugën Shkodër-Tiranë, tregon për praninë e keqbërësve me qëllime të ndryshme. Mosmirëmbajtja ngarkon gjithashtu me përgjegjësi të ngarkuarit me atë punë.

Sa herë që kemi lajme të këqija për aksidente në atë rrugë, përveç zëdhënës koti policie, nuk dëgjojmë specialistë që të na shpjegojnë se përse kjo rrugë nuk është ndërtuar me sinjalistikë, sipas rregullores së qarkullimit të Republikës së Shqipërisë dhe standardeve evropiane.

Futja në Evropë është plotësimi i standardeve qeverisëse. Një prej tyre është edhe qeverisja e rrugës Shkodër-Tiranë, nëpërmjet sinjalistikës, mirëmbajtjes dhe kontrollit rrugor. Kjo rrugë deri më tani ka namin e vrastares. Qoftë dhe për këtë, Shqipëria ndryshe nga Mali i Zi, shkon në të kundërt të plotësimit të standardeve qeverisëse për integrimin në Evropë.

Integrimi evropian i Shqipërisë është vetëm çështje e qeverisjes së saj. Çdo vonesë në integrim tregon se qeverisësit dhe vetëm qeverisësit, nuk kanë bërë detyrën e tyre.

Shënim

Gjatë rrugës sa nuk na përplasi një makinë policie, që me ulërima e sinjale me drita i siguronte dhe i hapte rrugën një autoveture qeveritare të rrethuar nga autovetura të tjera shoqëruese. Edhe ato ulëritëse!

Në hyrje të Tiranës na ndaloi policia rrugore. Kontrolloi dokumentet, si edhe detyrimet në para që çdo shofer paguan për automjetin që përdor, që shteti shqiptar të zbatojë rregullat e qarkullimit rrugor, sipas standardeve evropiane për vendosjen e shenjave rrugore, të plota dhe pa asnjë mungesë. Në të kundërt, rruga Shkodër-Tiranë do të bëhet më shumë vrasëse, dëshmi e kundërt me fjalët e përditshme që thonë dhe përhapin për veten e tyre qeverisësit në lidhje me "sukseset e reformave qeverisëse" dhe integrimin euroatlantik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›