Shkodër, arrestohet kryeplaku i fshatit Koman
Një tjetër kryeplak është vënë në pranga për shkak të disa parcelave me kanabis të zbuluara në fshat
SHKODËR - Moskallëzimi në polici për mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike ka çuar në burg kryeplakun e fshatit Koman, në komunën e Temalit të rrethit të Shkodrës. Ndërkohë që në prangat e policisë është venë edhe një tjetër person. Dy të ndaluarit janë Josif Gjonej, 47 vjeç, lindur në Koman dhe banues në Temal, kryeplak i fshatit Koman dhe Aleks Gjonej, 34 vjeç, banues po në këtë fshat. Sipas burimeve zyrtare nga policia, kryeplaku u vu në pranga me akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "moskallëzimit të krimit" në lidhje me moskallëzimin për tre parcelat me kanabis të gjetura në territorin që ai mbulon.
Ndërsa arrestimi i shtetasit Aleks Gjonej u bë për veprën penale të "kultivimit të bimëve narkotike". Një ditë më parë, forcat e policisë së Pukës gjetën dhe asgjësuan rreth 600 rrënjë bimë narkotike, kanabis sativa, e cila kultivohej në tre parcela. Bima narkotike kultivohej në vendin e quajtur "Bjeshkët e Komanit".