Nisin negociatat për qeverinë, Berisha takon Mediun
Larg vëmendjes së medias, kreu i qeverisë Sali Berisha ka nisur takimet me aleatët e tij, që pritet të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme. E ndërsa ende nuk është përcaktuar data e saktë se kur ai do të ulet në një tryezë bisedimi me aleatin e tij të ri, Ilir Meta, Berisha duket se ka mundur të ezaurojë takimin me aleatin e tij besnik, kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ka qenë vetë Mediu ai që ka konfirmuar dje për mediat takimin e zhvilluar me shefin e mazhorancës Sali Berisha, në kuadër të negociatave për arritjen e paktit për ndarjen e pushtetit dhe formimin e qeverisë së re. Megjithatë, ai shprehet se jo çdo gjë është zgjidhur në këtë takim, pasi marrëveshja është arritur thjesht në parim, pa folur për emra dikasteresh që do të drejtojë kjo parti dhe as për emra individësh, me të cilët do të përfaqësohet.
"Kam bërë takim me Kryeministrin Berisha dhe kemi folur ne parim për sa i përket organizimit të qeverisë së ardhshme", - u shpreh Mediu. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se është rënë dakord me Kryeministrin që bisedimet të përmbyllen në mënyrë përfundimtare brenda pak ditëve, në mënyrë që brenda gushtit, kabineti i ri qeveritar të jetë gati. "Kemi lënë që brenda muajit gusht të mbyllen negociatat dhe përcaktimet e gjithësecilit subjekt në qeverisjen e ardhshme. Kam bindjen se çdo gjë do të funksionojë në bazë të kontributit që ka dhënë gjithsecili subjekt në rezultatin e zgjedhjeve", - tha më tej Mediu.
Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se PR-ja do të përcaktojë emrat që do ta përfaqësojnë në këtë qeverisje në nivele politike, në mbledhjen e strukturave të saj drejtuese. "Unë asnjëherë nuk kam folur në numrin njëjës, PR-ja duhet të përfaqësohet politikisht dhe janë strukturat ato që do të vendosin se kush do të jetë përfaqësia e PR-së në qeveri,"- u shpreh Mediu. Pavarësisht se nuk pranon të flasë për portofolin ministror që do të marrë, mësohet tashmë se PR-ja do të drejtojë pikërisht Ministrinë Mjedisit. Ndërkohë që nesër pritet të zhvillohet takimi tjetër dhe më i rëndësishëm për fatin e qeverisjes së ardhshme, ai mes kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kreut të PD-së, Sali Berisha.