E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, çelet seminari 3 ditor për bashkëpunimin ndërkufitar

Bashkëpunimi ndërkufitar është në qendër të një seminari treditor që nisi dje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratës publike rajonale dhe lokale, në kuadër të projektit të bashkëpunimit mes rajonit Molise, Itali dhe qarkut të Shkodrës. Ky seminar financohet nga Ministria e Jashtme Italiane dhe rajoni Molise, ku dy agjencitë respektive të Zhvillimit GAL Molise dhe TEULEDA Shkodër janë partnerët e zbatimit të këtij projekti. Drejtore Ekzekutive e Teuledës, Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Klaudia Darragjati, tha për ATSH-në se "në këtë seminar janë të përfshirë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë të Molise, parkut shkencor-tekonoligjik Molise (Itali), komunës Kotor (Mali Zi), rretheve Mostar, Bosnje Hercegovinë, provincës së Vojvodinës dhe Agjencisë së Zhvillimit Kragujevac (Serbi) si dhe rajoneve Istria, Split dhe Dubrovnik (Kroaci)". "Seminari formues është një ndër aktivitet më të rëndësishme të projektit, ku do të trajtohen temat mbi politikat e bashkëpunimit të BE-së, do të analizohen dokumentet strategjikë të vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet, do të diskutohet për krijimin dhe konsolidimin e partneritetit, përcaktimin e fushave tematike", theksoi Darragjati. Duke u ndalur tek tema qendrore e seminarit, bashkëpunimi ndërkufitar, ajo informoi se në qendër të diskutimeve do të jenë prioritetet e territoreve, aksionet e nevojshme dhe mundësitë e propozimit të projekteve. "Aktivitetet e tjera, në kuadër të këtij projekti, janë përgatitja e një guide turistike për qarkun e Shkodrës, pajisja dhe vënia në efiçencë e Qendrës së Informacionit Turistik dhe Formimit në Shirokë, pajisja me aparatura e Laboratorit të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si dhe trajnimi përkatës për specialistët e laboratorit në fjalë, etj.", tha Drejtorja Ekzekutive e Teuledës, Klaudia Darragjati.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›