E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, bashkia i nxori jashtë konviktit, 120 familje nisin jetën nën çadra

Prej 1 muaji, bashkia ka ndërmarrë një investim të pjesshëm në godinën e konviktit
Më shumë se 150 banorë jetojnë jashtë pas largimit nga godina, ku jetonin prej më shumë se 20 vjetësh. Bëhet fjalë për një pjesë të banorëve të ish- konviktit të ndërtimit, të cilët janë larguar nga bashkia e qytetit rreth një muaj ma parë. Largimi ka qenë i detyruar jo për arsye të ndonjë banese të re në kushte normale, që nuk rrezikonte jetën e tyre, por për një investim të pjesshëm në një nga muret kryesore të ndërtesës. Por ndërsa banorët kanë lënë ato dhoma të mbushura me mjerim, kanë mbetur pa asnjë çati pasi punimet nuk kanë përfunduar ende. Bashkia e qytetit kishte marrë përsipër që brenda pak javëve të rindërtonte murin e rrëzuar, i cili mund të shkaktonte dhe shembjen gati të plotë të godinës. Kushtet e këqija klimaterike të motit, por dhe ngadalësia e punimeve kanë lënë në mëshirë të fatit banorët, të cilët të dëshpëruar nga gjithçka e keqe që iu ndodh në jetën e tyre shkojnë çdo ditë pranë ish- shtëpive të tyre me shpresën se do t'iu jepet urdhri për rifutjen në banesë. Drama e mungesës së shtëpive për ta ka kohë që ka nisur, kurse tani për më tepër iu duhet të jetojnë jashtë, madje pjesa më madhe e këtyre familjeve kanë ngritur disa çadra provizore në natyrë.
Banimi në konvikt
Ende nuk dihet se kur do të ketë ndonjë shpresë për këto familje që presin për të rigjetur të paktën strehën e tyre, ndonëse në kushte mizerabël. Vonesa tashmë është e pajustifikueshme, kurse vetë familjet që kanë mbetur jashtë nuk dinë se si të gjejnë zgjidhjen e tyre, që duket se është më shumë se ekzistenciale për ta. Njëra prej banoreve, Alime Mici tregon se është detyruar që për më shumë se tre javë bashkë me katër fëmijët e saj dhe bashkëshortin e sëmurë të jetojnë në një çadër. Ajo thotë se djalin 5- vjeçar e ka shtruar në spital, ndërsa gjendja e tij është kritike pas kushteve në të cilat i duhet të jetojë. Ish- konvikti i ndërtimit, prej afro dy dekadash popullohet nga 120 familje, të cilat e kanë adoptuar atë në një banesë kolektive. Godina 5 katëshe ka probleme të mëdha, ndërsa mungesa e rrjetit të shkarkimeve të ujërave të zeza ka krijuar probleme të tjera. Më shumë se një muaj më parë, atëherë kur bashkia ka vendosur të largojë pjesën më të rrezikuar të banorëve për të rindërtuar muret e rrëzuara specialistët e higjienës të Shëndetit Publik e ka shpallur ish- konviktin të pabanueshëm dhe jashtë të gjitha parametrave, ndërsa është kërkuar dhe largimi i banorëve prej saj, të cilët kërcënoheshin nga një shembje e mundshme. Familjet në fjalë kanë hyrë në këtë ndërtesë pas viteve 90 forcërisht në të, duke ndryshuar dhe destinacionin e saj nga konvikt që shërbente për nxënësit e shkollës së mesme të ndërtimit në një banesë kolektive. Numri shumë i madh i familjeve të futura në të, në vetëm nga një ose dy dhoma ndryshoi në vite pamjen e saj, ndërkohë që mungesa e investimeve nga njëra anë, por dhe amortizmi i rrjetit të ujërave të zeza dhe atyre të bardha ka çuar në degradimin total të saj. Sot ndërtesa në fjalë është e pabanueshme, madje me një pamje të frikshme, ndërkohë që askush nuk ka menduar të gjejë një zgjidhje për këta banorë.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›