Shkodër, ekzekutohet në pritë 47-vjeçari, plagoset dhe i biri
Qyteti i Shkodrës është tronditur nga një tjetër krim i rëndë, pasi vetëm pak minuta më parë mësohet se ka ndodhur një vrasje.
Burime pranë policisë bënë me dije se viktima është Frederik Marku, 47, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe i biri 20 vjeç, Jurgen Marku. Fillimisht u mendua se u vra dhe ky i fundit, po burime pranë policisë bëjnë me dije se ai është në spital.
Sipas këtyre burimeve, atë e bir kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e tyre, kur u ka dalë para një makinë, e cila u ka zënë rrugën dhe prej saj persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku.
47-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend nga plumbat e shumtë që ka marrë, ndërkohë që autorët e vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Dyshohet që krimi i rëndë të ketë ndodhur si pasojë e hakmarrjes për hasmëri. Policia bën me dije se ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Vetëm pak ditë më parë po në Shkodër u regjistruar një tjetër krim i rëndë, ku një 20-vjeçar u vra për hasmëri në oborrin e shtëpisë së vet, ndërkohë që u plagos dhe vëllai i tij.