E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani, Mustafa: Kujtojmë të shkuarën, të punojmë për të ardhmen

Në kuadër të vizitës së tij shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pati një takim të veçantë edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, njëkohësisht Kreun e LDK-së, zotin Isa Mustafa, të zhvilluar në mjediset e Bashkisë së Prishtinës, ku për nder të Kryetarit të Shtetit Shqiptar ishte organizuar një pritje madhështore dhe një mbledhje e veçantë e anëtarëve të Kuvendit Komunal.
 

Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë tepër të ngrohtë e miqësore, Presidenti Nishani vlerësoi punën e strukturave vendore të kryeqytetit kosovar për të përballur me sukses të gjitha sfidat që parashtron për këtë komunë, detyrimi për t`i shërbyer në çdo kohë dhe për të gjitha nevojat qytetarëve të saj. Kryetari i Shtetit shqiptar u uroi drejtuesve vendorë të pranishëm në këtë takim suksese në realizimin dhe përmbushjen e të gjitha strategjive që kjo komunë planifikon për të ardhmen.
 

Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa shprehu vlerësimin e lartë dhe nderimin që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i bën Komunës së kryeqytetit përmes kësaj vizite tepër të shumëpritur dhe të dëshiruar për qytetarët prishtinas.
 

Presidenti Nishani, duke përshëndetur anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, iu drejtua të pranishme duke theksuar:
 

"I nderuar zoti Kryetar Mustafa! I nderuar zoti Hamiti! Të nderuar anëtarë të Këshillit Komunal të Prishtinës! Të nderuar të pranishëm!
Është jo vetëm një kënaqësi e veçantë për mua, por edhe një privilegj që të jem midis jush për t`u takuar së bashku, por edhe për t`ju uruar ju në punën tuaj, në kontributin tuaj në shërbim të qytetarit, në shërbim të qytetit, në shërbim të komunitetit, në shërbim të çdo familjeje të Prishtinës. Sot unë jam në vizitën time të parë si President i Shqipërisë, jashtë vendit, në Kosovë. Ka qenë një dëshirë e hershme që një vizitë të tillë zyrtare ta bëja në Kosovë në pozicionin e Kryetarit të Shtetit të Shqipërisë, por këtu midis jush e ndiej veten njësoj si në Tiranë, e ndiej veten njësoj si midis bashkëpunëtorëve të mi. Jam i bindur në përgjegjësinë e madhe që ju keni. Fatmirësisht e ndiej se sa e rëndësishme është puna dhe misioni juaj, sepse edhe unë kam patur fatin ta nis karrierën politike si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas aktiviteti politik vijoi me një dinamikë më të madhe. Për mua të zgjedhurit e pushtetit vendor nga ana e qytetarëve kanë një ngarkesë dhe përgjegjësi shumë të madhe, sepse puna dhe kontributi i tyre është i lidhur me çdo hallkë, me çdo problem e me çdo nevojë të qytetarit, nga mëngjesi deri në darkë.Kështu që më lejoni të përfitoj nga rasti që jam mes jush sot, të shpreh të gjithë mirënjohjen dhe vlerësimin tim për punën e Kryetarit Mustafa, për vizonin që ka shfaqur Kryetari Mustafa, për kontributet që ka dhënë në zhvillimin e këtij qyteti në interes të jetës së përditshme të qytetarëve! Por puna e Kryetarit Mustafa nuk do të ishte e suksesshme pa kontibutin e gjithsecilit prej jush në procesin e vendimmarrjes tuaj, në procesin e hartimit të politikave apo në procesin e mbështetjes së tyre politike apo zhvilluese për qytetin. Në fund të fundit, zhvillimi urban, zhvillimi i territorit është hallka më e rëndësishme që ka të bëjë me standardet dhe cilësinë e jetës së qytetarit, ndaj vizioni dhe kontributi juaj është një rezultat i drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarit. Jam i bindur që atë vlerësim dhe mbështetje që ju keni marrë nga qytetarët e Prishtinës, me përgjegjësinë, përkushtimin dhe kontributin tuaj ia keni shpërblyer dhe do t`ia shpërbleni, sepse zhvillimi është e vetmja rrugë në të cilën ne duhet të ecim. Jam i bindur që edhe bashkëpunimi juaj edhe me qytete si Tirana apo me qytete të tjera, me bashki dhe komuna të tjera, është një nevojë dhe një interes i përashkët. Përvojat e dyanshme janë një mjet i mirë për të rritur përgjegjësinë e angazhimit të pushtetarëve vendorë. Unë kam patur fatin që të punoj me pushtetarët vendorë kur isha pjesë e administratës së lartë publike në Shqipëri dhe e di fare mirë se sa e rëndësishme nga njëra, dhe se sa shumë sfida ka nga ana tjetër, por në fund të fundit nuk ka kënaqësi më të madhe për një të zgjedhur nga qytetarët, për një të zgjedhur nga populli kur shikon se me vizionin, vlefshmërinë, qytetarinë e me kontributin e tij ka bërë të mundur që të realizohen ato dëshira dhe ato objektiva që ka qytetari në jetën e tij të përditshme.Edhe njëherë, ju falenderoj për mikpritjen! Ju uroj shumë suksese në punën tuaj, në misionin tuaj, që është tërësisht një mision në shërbim të qytetarit! Jam i bindur që secili prej e jush e ndien këtë dhe e ka pjesë të punës së tij, sepse në fund të fundit kur flasim për interesat e qytetarit, ne dalim nga interesat politike, nga interesat partiake dhe kjo e bën shumë më humaniste, shumë më shtetare, shumë më civile angazhimin dhe përkushtimin e gjithsecilit.Edhe njëherë ju falenderoj për këtë mundësi që më dhatë të jem me ju, që të flasim e të bisedojmë së bashku dhe secilin prej jush, dëshiroj që ta shohim e ta kemi në Tiranë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është një festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët. Është një festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, sepse Pavarësia e Shqipërisë, që ishte vendosja e gurit themeltar të dimensionit të shtetit shqiptar e dha sinjalin dhe e ndezi dritën e saj për të ecur në këtë rrugë në Kuvendin e madh të Lidhjes së Prizrenit dhe u përfundua nga burrat shqiptarë në Vlorë. Ndaj kjo është festa jonë e përbashkët. Është festë e çdo shqiptari. Është edhe moment përtej gëzimit, përtej festimit dhe për ndriçuar akoma edhe më shumë vizionet tona drejt së ardhmes. Gjithmonë na takon ta kujtojmë të shkuarën. Kurrë të mos harrojmë sakrificat e së shkuarës, por objektivat i kemi gjithmonë të lidhura me të ardhmen. Ajo çka do të na bëjë gjithmonë më të fortë, më të mençur, më të zhvilluar është e ardhmja dhe ajo na përket ne, i përket qytetërimit, ajo i përket zhvillimit. Edhe njëherë, ju falemnderit!``tha Presidenti Nishani.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›