E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, festohen Pashkët, përcillen mesazhe paqeje

Pashkët ortodokse janë festuar edhe në Shkodër, ku 2 për qind e popullsisë së këtij qyteti i përket këtij besimi. Kështu besimtarët kanë uruar njëri-tjetrin në këtë ditë të shënuar për ta, si dhe kanë përcjellë mesazhe paqeje. 

SHKODER- Besimtarët ortodoksë në Shkodër kanë kremtuar festën e Pashkës, ditën e ringjalljes së Krishtit. Përgatitjet për kremtimin e kësaj feste kanë nisur në mesin e javës dhe janë kurorëzuar me të Dielën e Shenjtë të Pashkës. Besimtarët ishin të pranishëm në kishë pak përpara mesnate kur filloi Vigjilja e Pashkës, që në shumë raste quhet Shërbesa e Mesnatës. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.
Besimtarët ortodoksë morën mesazhet e kësaj feste në orën 23:00 të mbrëmjes nga përgjegjësi i kishës katedrale të ortodoksëve të Shkodrës at Nikolla Petani. Ndërkohë, sot autoritetet më të larta të pushtetit lokal, dhe përfaqësues të komuniteteve fetare kanë uruar të gjithë besimtarët ortodoks me rastin e Pashkëve. Përmes mesazhit përcjellë, përfaqësuesve të kishës ortodokse ne katedralen e qytetit të Shkodrës, ato vlerësuan kremtimin e kësaj dite të shenjte si një ngjarje e shënuar gëzimi, e cila rigjallëron në zemrat e besimtarëve ndjenjat më të thella të dashurisë dhe mirëkuptimit për njerëzit të afërmit, shokët dhe miqtë. Në Shkodër bashkëjetojnë 3 komunitetet fetare, ku 2 për qind e popullsisë i përkasin besimit ortodoks. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›