Shkodër, gjendet i vdekur në kanal 45-vjeçari, hetohen shkaqet
Gjendet i pajetë një 45-vjeçar shkodran, policia nis hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Viktima është gjetur mëngjesin e sotëm nga kalimtarë të rastit, buzë një kanali në rrugën Shkodër-Vau Dejës, pranë fshatit Mjedë. Pranë kufomës është gjetur dhe një çiklomotor, që mendohet të ishte në pronësi të viktimës. Viktima është identifikuar si 45-vjeçari Vladimir Mustafa, banor i fshati Paçram.
Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe paraprakisht dyshohet se 45-vjeçari mund të ketë shfaqur probleme shëndetësore, ose ka humbur kontrollin duke përfunduar në anë të rrugës në kanal, ku dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje nuk ka shenja që të bëhej fjalë për një aksident, përplasje me një mjet tjetër, çka hedh poshtë mundësinë e përfshirjes se një mjeti tjetër në aksident. Viktima është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës ku do i bëhet ekspertiza mjekësore, e cila do të zbardhi plotësisht shkakun e vdekjes.
21 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Shkodër, gjendet i vdekur në kanal 45-vjeçari, hetohen shkaqet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip