Presidenti çek vizitë informale në Durrës: Do nxis turizmin
DURRËS - Presidenti cek, Vaclav Klaus i cili gjendet në vendin tonë që nga dita e djeshme, sot zhvilloi një vizitë informale në qytetin e Durrësit, ku piu kafe me drejtuesit lokal në një nga hotelet buzë detit. Klaus, foli me superlativa për bregdetin shqiptar dhe tha se do të nxisë ardhjen e turistëve çek në Shqipëri. Për këtë ai premtoi edhe vendosjen e linjës ajrore direkte Pragë-Tiranë.
Takimi u zhvillua në hotel Adriatik në plazhin e Durrësit, ku merrnin pjesë kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, si kryetari i Qarkut dhe prefekti i Durrësit. Presidenti çek shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit të turizmit. Kryetari i baskisë, Dako i ka bërë presidenti çek një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur presidentin çek me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja.
Presidenti Klaus nga ana e tij u shpreh tepër i kënaqur për pritjen që ju rezervua në Durrës. Ai u shpreh se bregdeti i mrekullueshëm i Durrësit duhet të jetë një objektiv për tu vizituar nga turistët çekë dhe për këtë po punohet që vëmendja e turistëve çekë të përqendrohet në bregdetin shqiptar e veçanërisht atë të Durrësit. Po kështu presidenti çek Klaus u shpreh se po punohet për vendosjen e fluturimeve direkte me avion me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve çekë në vendin tonë.
Pas takimit në mjediset e jashtme të hotel Adriatik, i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe presidenti Klaus shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durësit Vangjush Dako i dhuroi presidentit çek ndërmjet të tjerash një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ndërsa presidenti Klaus i dhuroi kryebashkiakut Dako librin e tij të përkthyer edhe në shqip me titull "Planeti blu në vargonj të gjelbër- Cila rrezikohet: Klima apo liria?".