Shkodër, kapen 26 kg kanabis, në kërkim transportuesit
Policia e Shkodrës ka bërë të mundur sekuestrimin e 26 kg e 170 gram bimë narkotike cannabis sattiva, por nuk ka mundur të identifikojë dy transportuesit e drogës. Burime nga policia e Shkodrës bënë me dije se droga është kapur në vendin e quajtur “Lapidari i Ushtarit” që ndodhet në Komunën Kastrat të rrethit të Malësisë së Madhe.
Sipas informacioneve, patrulla e policisë kufitare ka konstatuar dy shtetas të paidentifikuar, që po lëviznin në drejtim të vijës së kufirit, të cilët duke kuptuar lëvizjen e policisë janë larguar duke lënë në tokë, dy thasë të cilët mbanin bimët narkotike.
Ndërkohë policia bën me dije se dy personat u fshehën në terrenin malor të kufirit duke i shpëtuar identifikimit të tyre edhe për shkak të errësirës.
Më pas me mbërritjen në vendngjarje të skuadrës antidrogë të Policisë së Shkodrës rezultoi se thasët përmbanin gjithsej 26 kg e 170 gram, të ndara në 26 pako plastike të tejdukshme, të mbushura me lëndë bimore, në gjendje të tharë.
Uniformat blu të Shkodrës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që materialet e çështjes i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për procedurën e mëtejshme.