Shkodër, nis shpërndarja e kartave të identitetit
Pas dy muajsh aplikimi për karat e identitetit, qytetarët e Shkodrës do të vijojnë radhën për ti tërhequr ato. Dje ka nisur shpërndarja e kartave të para të identitetit për Bashkinë e Shkodrës. Të parët që do të tërheqin kartat e reja, do të jenë personat që kanë aplikuar gjatë muajit shkurt. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Troshani, i cili ka pohuar se kompania ka punuar për të instaluar pajisjet dhe po sistemohen sipas alfabetit kartat për të lehtësuar gjetjen e tyre, pra të aplikantëve dhe kartës përkatëse.
Ai ju bëri thirrje qytetarëve për të tërhequr kartat e para të prodhuara dhe qytetarëve që nuk kanë pasaporta që të aplikojnë për kartat e identitetit. Nga burimet e bashkisë, mësohet se tashmë janë gati 8500 kartat e para që do të tërhiqen, ndërkohë që po përgatiten të tjera për aplikantët e tjerë. Fluksi i personave që kërkojnë të pajisen me karta identiteti duket se nuk është drejt rënies, ndërsa aplikimet vazhdojnë. Në sportelin e shpërndarjes së kartave janë dy persona, dhe sipas një rregulli të posaçëm, nuk lejohet që familjarët të marrin kartat e njëri-tjetrit, pa u paraqitur personalisht aplikuesi i kartës. Shkodra ka rreth 16.000 persona që nuk janë të pajisur me pasaportë për jashtë shtetit, ndërkohë që nuk dihet saktësisht numri i atyre që janë aplikantë për kartat e identitetit. Por nga burime të brendshme mësohet se një shumicë tashmë që nuk kanë pasaporta po aplikojnë përditë për t u pajisur së paku me kartë. Gjithsesi, numri prej 500 aplikantësh në ditë, nuk është i madh dhe nga nëpunësit në 12 sportele deklarohet se një mesatare prej 800-900 personash mund të pranohet të aplikojnë dhe ky ritëm do të kënaqte edhe momentin e mosmbetjes deri me datën përfundimtare të aplikimeve për karta, sepse tashmë ky proces po ecën me shpejtësi dhe normalisht. Ndërsa në zonat rurale procesi duket se paraqitet në gjendje më të dobët. Edhe pse në këto zona ka një numër relativisht të vogël banorësh, procesi është akoma në fazën e instalimit dhe të fillimit të tij. Në Koplik ka një ritëm të vogël të aplikantëve, por që ditët e fundit ka ardhur në rritje, kurse në Vaun e Dejës dhe në Pukë, nga të dhënat e para mësohet se ritmi i procesit është në nivele të pranueshme dhe procesi nuk ka defekte apo vonesa.