E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, të varfërit në ankth për pajisjen me karta identiteti

“News24” ka kontaktuar me disa prej familjeve të varfra në Shkodër, ku duket se pajisja me karta të identitetit është një mision i pamundur. Varfëria kushtëzon jetesën e këtyre familjeve ashtu edhe pajisjen me karta. 

SHKODËR- Të varfër dhe të frikësuar nga gjobitja nëse nuk aplikojnë për kartat e identitetit. Varfëri e tejskajshme dhe kushte të rënda jetese po ndikojnë në pajisjen me karta të identitetit në disa familje në qytetin e Shkodrës. Pothuajse dy javë e ndajnë këtë familje Shkodrane nga 15 prilli dhe duket se të gjithë janë në ankth. Në familjen Dede jetojnë 6 persona, 4 prej të cilëve duhet të pajisen brenda datës 15 prill me karta të identitetit.
Në prononcimin e tyre vajza 19 vjeçare Ana tregon se nuk mund të blejë dot as një palë këpucë të vjetra, pasi të ardhurat mujore janë vetëm 8 mijë lekë në muaj.

Gjithashtu ato nuk janë të pajisur me pasaporta për të njëjtën arsye që nuk arrijnë të blejnë dot kartën e identitetit. Mungesa e të hollave është kthyer në shkak për mos aplikimin e tyre për kartat dhe rrjedhimisht kusht për sanksionet që mund të vendosen ndaj tyre.

E njëjta situatë shfaqet edhe në familjen Kodra që përbëhet nga 6 persona, ku dy kryefamiljarët të cilët nuk kanë pasaporta, duhet të pajisen me karta të identitetit, por të ardhurat mujore në këtë familje janë vetëm 3800 lekë.

Një tjetër familje shkodrane e cila nuk blen dot kartën e identitetit, të cilët thonë se të ardhurat mujore janë vetëm 8 mijë lëkë në muaj, por vetëm ilaçet për kryefamiljarin e sëmurë rrëmbejnë më shumë se gjysmën e kësaj shume.

Lista e familjeve të varfëra në Shkodër është e gjatë. Pavarësisht se rreth vetëm 15 ditë na ndajnë nga afati përfundimtarë i pajisjes me kartat e identitetit për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaporta, në qytetin e Shkodrës ka shumë familje të cilat jetojnë në kushte të mjerueshme dhe me të ardhura minimale të jetesës. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›