E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, teatri hap sezonin, bëhet gati për 100 vjetorin e Migjenit

SHKODER- Një shfaqje baleti nga një grup studentesh nga Shën Peterburgu(Rusi) do të celë sezonin e ri artistik në teatrin "Migjeni" pas pushimeve verore.

Shfaqja zhvillohet në kuadrin e javës së kulturës ruse në Shqipëri dhe bazohet mbi motive tradicionale ruse, duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe mesazhin e lidhjes midis dy popujve.

Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni thekson se në prag të 100 vjetorit të lindjes së Migjenit, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për një mbrëmje poetike, me pjesët më të mira të Migjenit, me regji të aktorit të mirënjohur Bruno Shllaku.

Angoni bën të ditur gjithashtu se ka filluar puna për vënien në skenë të një drame të Fadil Krajës, në 80 vjetorin e lindjes së tij, me regji të Fatbardh Smajës, aktivitet i cili pritet të shoqërohet edhe me një nderim të vetë dramaturgut Kraja.

Ndërkohë, është programuar të rikthehet në skenë sërishmi “Big Brother Shkodra”, komedia e cila pak muaj më parë shënoi suksesin më të madh të viteve të fundit në këtë skenë. Në program janë edhe pjeset tradicionale të fundvitit të shoqëruara me koncerte variete, recitale të këngëtarëve të teatrit Migjeni, por edhe me të ftuar nga rrethet e tjerë dhe jashtë vendit, etj
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›