E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoder tritol ne shtepine e Admir tafilit

Rreth 100 gram tritol, i cili ishte vendosur në derën e hyrjes së shtëpisë së Admir Tafilit ka shpërthyer duke shkaktuar vetëm dëmë materiale. Shpërthimi ka ndodhur natën e mbrëmëshme dhe për fat të mirë në të nuk ndodhej askush. Sipas policisë, e cila ka nisur edhe hetimet rreth kësaj ngjarje, nuk ka ende një pistë zyrtare. Tritoli i cili ka shpërthyer ka shkatërruar plotësisht derën. Kimete Tafili nëna e Admir e Genc Tafilit shprehet mjaft e tronditur dhe ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të marrë në mbrojtje këtë familje, pasi ata janë të rrezikuar. Ajo shprehet se jeton e vetme në këtë shtëpi ndërsa gjatë natës strehohet tek komshinjët.
Admir Tafili me 18 mars të vitit të kaluar ka vrarë në fshatin Grudë vëllezërit Nikë e Gjovalin Pjetrushi, pas arratisjes së tij nga burgu në tetor të 2010-ës ku vuante dënimin për plagosjen e ish-shefit të krimeve Prelë Pjetrushi. Hasmëria mes Tafilëve dhe Pjetrushëve e ka zanafillën në vitin 2000, kur u vra Bahar Tafili babai i dy vëllezërve. Ngjarjet vijnë fill pas vrasjes së Drejtorit të Policisë së Shkodrës në atë kohë, Arben Zylyftari. Për këtë krim, policia akuzoi Admirin dhe të vëllanë Gencin. Një proces i kundërshtuar gjithnjë nga familja Tafili, por që drejtësia i dënoi pikërisht ata për krimin. Tafili ndodhej në burg deri në tetorin e vitit 2010, kur falë një leje të dhënë nga autoritet e burgut të Shënkollit në Lezhë, mundi të largohej për të mos u kthyer më. Gati një vit e gjysmë pas arratisjes ndodhi pikërisht ajo që i druheshin të tërë, hakmarrja e deklaruar edhe më parë nga vëllezërit Tafili. Ai është arrestuar nga forcat RENEA në afërsi të kinostudios 12 orë pasi ka kryer vrasjen dhe mësohet të ketë qenë vetë Admir Tafili, ai i cili ka njoftuar forcat e rendit për vend ndodhjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›