Federata e Paqes Universale, takim për paqen dhe kulturën
Në kuadër të Turneut të Paqes Universale në Shqipëri, Federata e Paqes Universale zhvilloi dje konferencën me temë "Të jetosh për hir të tjerëve për të forcuar solidaritetin njerëzor". Ky turne ka filluar që më datën 15 shkurt në disa vende të botës dhe do të vazhdojë edhe më tej duke promovuar paqen në 194 vende.
Përfaqësuesi i kësaj federate për Shqipërinë, Gaqo Apostoli, u shpreh se kjo federatë është një aleancë e lidërve politikë, akademikë dhe fetarë, të kulturës, të artit dhe të medias në mbarë botën dhe bazohet mbi veprimtarinë e ambasadorëve për paqen, është një titull ose certifikim i njerëzve që kontribuojnë në këtë drejtim, duke pasur në filozofinë e saj ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në nivel botëror, ku rolin kryesor e luan familja si qeliza natyrale e shoqërisë. Sipas organizatorëve të kësaj konference, qëllimi i këtij takimi ishte për lidershipin dhe qeverisjen e mirë. Kjo bazohet në një parim themelor të jetosh për hir të të tjerëve, i cili vjen nga profetët, por ne e kthejmë në një truall edhe më njerëzor, ku secili duhet të sakrifikojë sadopak edhe për hir të të tjerëve, pohuan organizatorët e këtij takimi. Në këtë konferencë u emëruan edhe 50 ambasadorë të rinj për paqe, mes tyre Zerina Kuke, Pali Kuke,Xhevahir Spahiu, Urim Bajrami, Abdi Tela etj, si dhe një sërë të tjerë politikanësh artistësh dhe biznesmenësh. Ky Turne i Paqes Globale vjen në Shqipëri pas suksesit të Festivalit të Paqes Globale i cili u zhvillua në Korçë nga Federata e Paqes në partneritet me Bashkinë e Korçës nga data 11-18 Tetor 2008, ku morën pjesë mbi 150 personalitete të larta nga vendi dhe rajoni i Ballkanit dhe rreth 8000 banorë të Korçës dhe rrethinave të saj u përfshinë në të. Federata e Paqes Universale është një aleancë globale e udhëheqësve të jetës politike, akademike, fetare, të shoqërisë civile, individëve dhe organizatave që i dedikohen ndërtimit të një bote të paqes në të cilën të gjithë mund të jetojnë në liri, harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet të përbashkët, u shpreh Lavdie Ruçi, kryetare e UPF në vendin tonë. Federata e Paqes mbështet projekte edukimi që synojnë zhvillimin e karakterit, dashurinë e pastër, të forcojë martesën dhe familjen, parandalimin e SIDAs, zhvillimin e qëndrueshëm dhe arsimin, si edhe një program të gjerë me projekte shërbimi dhe ndihme. Përpjekjet për të krijuar një qeverisje të mirë përfshijnë mbështetjen e krijimit të një Këshilli ndër-religjioz pranë OKB-së dhe një seri samitesh botërore me këtë tematikë. Kjo konferencë e rëndësishme u organizua nga Federata e Paqes Universale (Botërore) në bashkëpunim me Ambasadorët e Paqes në Shqipëri dhe do të eksplorojë elementët themelorë të nevojshëm për realizimin e paqes së qëndrueshme, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit njerëzor. Në konferencë morën pjesë Kryetari i Federatës së Paqes Universale Botërore Dr. Chung Hwan Kwak dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj Prof. Dr. Tomas Walsh si dhe personalitete të tjera të artit dhe kulturës në vendin tonë.