E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, bastioni i përmbysur

berisha_topalliNga Taulant Kopliku

Këto zgjedhje, padyshim më të rëndësishmet për vendin që nga viti 1992, do të mbeten gjatë në histori për erën e ndryshimit që sollën në disa zona të vendit.

Këtu natyrshëm do të vendos gishtin tek Shkodra. Fitorja e opozitës së majtë, tashmë e arkivuar e madje drejt thellimit në qarqet më të mëdha në vend, kësaj radhe ka në bashkësinë e saj edhe Shkodrën, qytetin bastion dhe përherë të përdorur nga Partia Demokratike.

Sido që të balancohet apo zhbalancohet më tej situata e numërimit të votave në këtë qark, efekti është i dukshëm. Bastioni ka rënë, e bashkë me të edhe krijuesit e tij me falangat e krimit nga pas.

Ka rënë miti i vjedhjes dhe tjetërsimit të votës të asaj pjese të shkodranëve që mendonin ndryshe.

Sot më shume se asnjë qytet në këtë vend, ka rilindur Shkodra e kjo gëzon të gjithë, shkodranë ose jo.

Për herë të parë në këto 22 vite të sistemit pluralist të Shqipërisë, e majta ka guxuar të jetë në avantazh në Shkodër duke i prishur çdo skemë Jozefina Topallit në rrugëtimin e saj politik.

Nëse ky rezultat spektakolar në shkallë vendi, krahas performancës në rritje të aksionit opozitar, ka si shkak kryesor revoltën në rritje ndaj qeverisjes së Sali Berishës, në Shkodër emri më i lakuar dhe njëkohësisht i urryer është ai Topallit.  Kjo mjeshtre e përçarjes së një qyteti me tradita bashkëjetese, kjo kampione e krijimit të klaneve dhe grupeve të interesit, ky shembull i urrejtjes klasore, revanshiste ndaj stërnipërve të komunistëve (kur jemi në vitin 2013), kjo nxitëse e militantëve të linjës së ashpër, vjedhëse tradicionale e votave të bashkëqytetarëve të saj, në krye dhe me dijeninë e saj të çdo afere korruptive në qytetin e Shkodrës sot ka marrë goditjen më të madhe të karrierës së saj të përfolur politike.

Shkodra për herë të parë në historinë 22 vjeçare të pluralizmit politik i ka thënë jo Sali Berishës dhe Partisë Demokratike duke i dhënë kësaj force goditjen fatale.

Unë nuk mund të bej fallxhorin për të parashikuar sesi do të jetë rezultati final në Shkodër, madje kam bindjen se ky qytet i persekutuar keqas nga regjimi i Enver Hoxhës, ka një shpirt që anon djathtas.

Por kanë qenë pikërisht të djathtët ata që e kanë goditur mu në zemër sistemin e ndërtuar prej vitesh nga një klan jozefinianësh në Shkodër.

Kanë qenë qindra vota të djathtësh, të ndjerë të tradhtuar në idealet dhe zgjidhjet e tyre politike 20 vjeçare kanë shpërthyer më në fund ndaj këtij klani selektiv.

Jam i sigurt se sot në Shkodër ka një numër shumë të madh individësh të zemëruar e madje të skandalizuar për çfarë po ndodh.

I këshilloj të qetësohen dhe të reflektojnë arsyet e kësaj disfate. Në Shkodër (ashtu si në gjithë vendin), ka dhe një numër jo të vogël punonjësish militantë, të cilët nga sot kanë nisur llogaritë për mbajtjen e vendit të punës duke fshirë me urgjencë nga celulari votën e fotografuar një ditë më parë. Ndjej keqardhje për ta edhe pse shumë prej tyre janë detyruar.  Por në Shkodër ka dhe shumë socialistë. Ata kanë tentuar gjithë këto vite të ngrenë zërin, por gjithmonë pa mundur të bëhen faktor në një qytet të etiketuar si antisocialist (edhe pse në realitet është antikomunist).

Sot ata kanë të drejtën e zotit të festojnë për herë të parë në rrugët e një qyteti ku vite më parë nuk kanë mundur të vendosin asnjë simbol të vetëm elektoral.

Nesër Jozefina Topalli mund të kërkojë si alibi të humbjes shmangien nga lista për deputetë të emrave të preferuar të saj, por ky do të ishte justifikimi më i papranueshëm nga çdokush që njeh terrenin politik në Shkodër.

Emrat e rinj janë kualitete dhe mund të konsiderohen apriori jashtë hises së fajit për një humbje aspak të pritshme edhe pse të gatuar prej vitesh.

Larg qoftë mundet dhe të gjejë shkak se i vodhi votat Toma apo Paulini, por me një alibi të tillë do qeshin edhe fëmijët e Shkodrës.

Koston politike dhe dhënien llogari përpara asaj pjese të shëndoshë të demokratëve në Shkodër, le ta mbajë ajo së bashku me Lolët e Colët e saj, asnjë anëtar i PD-së jashtë klanit të saj nuk ka asnjë arsye të ndjehet fajtor.

Ndërsa të majtët kanë nisur festën e tyre, demokratët në Shkodër duhet të nisin me urgjencë një aksion politik për reformimin e Partisë Demokratike në këtë qytet dhe largimin njëherë e mirë të këtij klani hajdutësh.

Deputetët e rinj të Shkodrës, të papërlyer në bëmat e klanit, kanë mundësinë e artë të ngelen në historinë e Shkodrës, duke reformuar për herë të parë në 22 vite, Partinë Demokratike në këtë qytet, për ti kthyer asaj dinjitetin dhe idealizmin e humbur.

Sa për PD-në në qendër, asnjë demokrat në Shkodër nuk ka pse të ketë merak për reformimin e saj. Ajo për momentin nuk është çështje e shkodranëve. Për këtë të jenë të sigurt.

Nëse nuk janë? Të shohin fytyrën e Jozit dhe do ta kuptojnë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›