Papa Françesku Komitetit hebraik për konsultime ndërfetare: “I krishteri nuk mund të jetë antisemit”
“I krishteri nuk mund të jetë antisemit”: është fraza më e fortë, shqiptuar nga Papa Françesku në audiencën me anëtarët e Komitetit Hebraik Ndërkombëtar për Konsultime Ndërfetare”(International Jewish Committee on Interreligious Consultations). Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Papa vuri në dukje marrëdhëniet e gjata të miqësisë ndërmjet të krishterëve e hebrenjve dhe i inkurajoi të dyja palët të vijojnë rrugën e nisur. Dy herë, gjatë fjalimit, u përsëriti “vëllezërve të mëdhenj” fjalën shalom, paqe. E bëri në fillim, duke kujtuar 40-vjetorin e dialogut të rregullt ndërmjet hebrenjve e të krishterëve, vite, që kontribuan për të fuqizuar mirëkuptimin reciprok dhe lidhjet e miqësisë; pastaj edhe në fund të audiencës, kur kërkoi, por edhe siguroi, dhuratën e lutjes. Fjalët e Papës u frymëzuan nga Deklarata konciliare ‘Nostra Aetate’, pikë themelore referimi për marrëdhëniet me popullin hebraik: “Kisha pranon se zanafilla e fesë së saj edhe e zgjedhjes së saj, sipas misterit hyjnor të shelbimit, gjinden tek Patriarkët, tek Mosiu e Profetët. E, përsa i përket popullit hebraik, Koncili kujton mësimin e Shën Palit, sipas të cilit dhuratat dhe thirrja e Zotit janë të paprapësueshme e i dënon me forcë urrejtjen, persekutimet dhe të gjitha shfaqjet e antisemitizmit. Për arsye të rrënjëve tona të përbashkëta, i krishteri nuk mund të jetë antisemit!”. Frazë e fortë, që lë gjurmë mbi këtë rast të parë ballafaqimi me një grup zyrtar përfaqësuesish të organizatave e të bashkësive hebraike. Papa shtoi se pikërisht parimet konciliare i hapën rrugën njohjes më të thellë e mirëkuptimit reciprok në vitet e fundit. E në këtë rrugë tashmë janë bërë edhe deklarata e gjeste të dukshme, realizuar në nivel lokal, nga pak në të gjithë botën. Këtu Papa kujtoi përvojën e tij si kryeipeshkëv i Buenos Aires, foli për ballafaqimin e dialogun me hebrenjtë, kushtuar identitetit fetar dhe rrugëve, që duhen përshkuar për ta mbajtur gjallë kuptimin e Zotit në një botë të shekullarizuar: “U ballafaqova me ta në shumë raste për sfidat e përbashkëta, që i presin hebrenjtë e të krishterë. Por sidomos, si miq, shijuam praninë e njëri-tjetrit, u pasuruam reciprokisht në takim e në dialog, me frymë mikpritjeje reciproke, gjë që na ndihmoi të rritemi si njerëz e si besimtarë”.
Miqësi kjo, që shërben si bazë për dialogun, i cili sot pati karakter zyrtar; e sidomos për rrugën, që duhet të vijojë, duke përfshirë edhe breznitë e reja: “Njerëzimi ka nevojë për dëshminë tonë të përbashkët në favor të respektimit të dinjitetit të burrit e të gruas, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit e në favor të paqes që, para së gjithash, është dhuratë e Tij. Më pëlqen të kujtoj, këtu, fjalët e Jeremisë Profet; “Sepse unë e di mirë synimin që kam për ju, synim paqeje e jo mjerimi, synim ardhmërie plot me shpresë” (Jer. 29,11).
Tek Papa Bergoglio, kreu i indigjenëve argjentinas “qom”/Gjendja e popujve indigjenë, me problemet e rënda që shpesh e karakterizojnë, ishte në qendër të audiencës së Papës Françesku me Félix Dìaz, kreu i etnisë Qom të bashkësisë argjentinase “Pranvera”, i shoqëruar nga Nobeli për paqen, Adolfo Pérez Esquivel. Duke i shfaqur mirënjohje Atit të Shenjtë për këtë takim, Félix Dìaz i foli për “vështirësitë e popujve indigjenë në Argjentinë dhe në Amerikën Latine, si edhe për shqetësimet e tyre lidhur me mbrojtjen e të drejtave, sidomos përsa i përket territorit dhe identitetit kulturor”. Kështu njofton nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Etnia Qom, që në vitin 1940, mori nga shteti një territor prej 5 mijë hektarësh, ku mund të jetonte sipas rregullave të veta. Fatkeqësisht, ky territor zvogëlohet gjithnjë e më shumë, për shkak të dhënies së tij institucioneve, ose shfrytëzimit nga ana e shtetit. Gjithashtu, indigjenëve u mungon uji i pijshëm, ushqimi, puna. Askush nuk u njeh të drejtën e qytetarisë, pavarësisht se kërkesa për t’u konsideruar nënshtetas argjentinas është bërë në vitin 2011. Plagët e tjera nga të cilat vuajnë janë analfabetizmi, mosrespektimi i gjuhës dhe i identitetit të tyre kulturor, kërcënuar nga racizmi, diskriminimi e nga politikat, që synojnë zhdukjen e bashkësive tradicionale indigjene.
Marrë nga Radio Vatikani