Mediat në Kosovë kritikojnë aferën e ndërrimit të ndërlidhësit me Serbinë
Valdet Sadiku, ish-ambasadori i Kosovës në Kroaci, nisi detyrën e tij të re si zyrtari ndërlidhës në Beograd mes kritikave nga shtetasi e analistë që thanë se gjendja ishte jo-profesionale. Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ndeshi një pengesë kur zyrtari i parë i Kosovës në Beograd, Lulzim Peçi, dha dorëheqjen brenda 48 orësh pas marrjes së detyrës për shkak të mosmarrëveshjeve me Kryeministrin Hashim Thaçi. Në letrën e tij të dorëheqjes, Peçi tha se nuk ishte dakord me komentet e Thaçit se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të bëhet kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. "Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tonë lidhur me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë saktësisht njohja nga Republika e Serbisë, por siç duket, kjo politikë nuk është e tillë", tha Peçi. Ministria e Jashtme e Kosovës reagoi ashpër ndaj dorëheqjes. "Qëndrimi një-ditor [i Peçit] dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, si dhe çështjet e tjera lidhur me sjelljen e tij ... nuk kanë përfaqësuar me dinjitet Republikën e Kosovës," tha ajo në një deklaratë. Shtetasit vunë në pikëpyetje seriozitetin e ministrisë ndaj gjendjes. "Qeveria jonë duhet të jetë shumë e kujdesshme në gjëra të tilla sepse kanë të bëjnë me imazhin e Kosovës. Çfarëdo që të ishte, çfarëdo arsyesh apo shpjegimesh për gjithë këtë që ndodhi me Lulzim Peçin, kishim një ambasador që dha dorëheqjen brenda nja dy ditësh dhe kjo nuk duket shumë serioze," tha banorja e Prishtinës Teuta Qerimi. Vilson Tunaj, që gjithashtu jeton në Prishtinë, ishte dakord, duke thënë se gjendja shkaktoi konfuzion. "Në qoftë se Lulzim Peçi ishte kaq i keq, pse e emëruan atë?" tha Tunaj. "Duhej të jenë më seriozë e më profesionalë në gjëra të tilla". Analistë u bashkuan me shtetasit në kritikën ndaj ndryshimit. "Një mungesë e tillë e lartë serioziteti nuk pritej. Emërimi i një zyrtari nga Kosova në Beograd ishte një nga hapat e ndjeshëm që qeveria e Kosovës ka ndërmarrë në këtë fazë të bisedimeve e në një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dorëheqja e Z. Peçi ishte një e papritur dhe tregoi një nivel shqetësimi për metodën diplomatike të Kosovës," tha Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i lëvizjes FOL të Kosovës. Belul Beqaj, komentator politik i Kosovës dhe profesor universiteti, tha se dorëheqja ishte një skandal personal e shtetëror. "Ambasadori përfaqëson, afirmon dhe mbron interesat e përcaktuara të politikës shtetërore. Kështu që, në qoftë se nuk ishte dakort me politikat zyrtare të shtetit, do të kishte qenë më mirë që të mos e pranonte një detyrë të tillë ... Do të kishte qenë shumë më mirë se të ishte një ambasador, bërja e një skandali personal e shtetëror, edhe pse unë jam dakord me atë që tha ai (Peçi)," tha Beqaj. Ministria e jashtme tha, megjithatë, se misioni do të vazhdojë siç ishte planifikuar me Sadikun që e mori funksionin të premten (21 qershor). "Ambasadori Sadiku ka punuar në shumë organizata të rëndësishme ndërkombëtare, ka njohuri të mira për rajonin e për marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe pas punës së mirë në Kroaci, jemi të bindur se do të krijojë një efekt pozitiv në thellimin e procesit të normalizimit midis dy vendeve fqinjë," tha Zëvendës/Ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi. Gjendja nuk duket të ketë patur shumë ndikim në Beograd, megjithatë. "Në qoftë se e kuptoj siç duhet e gjithë kjo është rezultat i një përplasje midis Thaçit dhe Peçit, kështu që nuk mund të them se ka [ndonjë ndikim] në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës", tha Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës së Politikës në Beograd. Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç u takuan me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Kethrinë Eshton në Bruksel javën e shkuar për të diskutuar mbi përparimin në zbatimin e marrëveshjes së prillit mbështetur në planin që të dyja palët zbatuan muajin e shkuar. Eshton tha se përparim konkret është arritur dhe kryeministrat ranë dakord mbi një numër çështjesh në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve bashkiake të ardhshme. "Duke pasur parasysh takimin e Këshillit e të Këshillit Evropian [këtë] javë, do të informoj tani vendet anëtare rreth përparimit në zbatimin e marrëveshjes së prillit, duke konfirmuar se hapat konkrete drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve midis dy palëve janë marrë," tha Eshton. Miranda Gafurri, një ekonomiste në Prishtinë, tha se zyrtarët duhet të jenë të kujdesshëm në vendimet "sepse çdo marrëveshje nga e cila Kosova nuk përfiton, por Serbia përfiton, është dëmtuese në afat të gjatë për Kosovën". "Vetëm Serbia përfiton nga kjo marrëveshje në rrugën për të hyrë në BE dhe Kosovës nuk i është ofruar gjë: as liberalizim vizash, as anëtarësim në BE, as njohje nga Serbia," shtoi Gafurri.