E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekalog për Edi Ramën

ramaNga Rexhep Hoti

I dashur vëlla!

Vetëm në Gadishullin Kryevararë, politikani i vdekur politikisht mund të ringjallet. Ndoshta kjo nuk është krejt një shkathtësi e pamundësisë së zëvendësimit të tjetrit, siç ndodh me politikanin e Shqipërisë tash e mbi dy dekada. Ndoshta nuk është vetëm mallkim a fatësi e një race individualiste, të pamësuar për ti shërbyer vetvetes nga pesha e saj aventuriere për të ndërtuar perandori në mijëvjeçarë, diktatura e armiq të përbotshëm. Më lavdishëm dhe më mjerueshëm sesa mbarështrimet e përmasave të tilla, është mbi gjysma e saj e mbetur gjer vonë paLiri ndërkaq.

Duke u marrë aq shumë me mite e legjenda kjo hapësirë ka marrë me vete diçka prej tyre. Përtashësisht janë shfaqur si të ringjallura më shumë anët e errëta të saj. Madje edhe rituali i ringjalljes politike. Pangopësia dhe mjerimi e kanë humbur masën qyshkur. Moskuptimi është shndërruar në realitet. Pashëndetësia politike në shoqërinë shqiptare është bërë problem serioz. Shumë më i rrezikshëm sesa vetë korrupsioni dhe krimi i organizuar, se mospasja a dukuri tjera negative.

Në çastin kur po të shkruaj të gjitha shenjat flasin se kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë do të jesh ti. Por më e bukura e këtij fillimi do të ishte një ndërrim i shëndetshëm i pushteteve. Ky hap do të ishte bekimi i parë i demokracisë për ku je nisur. Mirënjohja e ndërsjellë në të vërtetë do ti duhej më shumë Sali Berishës, të cilit në fazën e jetës së tij testamantale, nuk do ti duhej një përshëndetje e padenjë, një largim i ngrysur apo një shenjë e pakuptimtë. Do të ishte një shembull jo i mirë për vetë demokratët. Rruga e Kombit ia ka arsyetuar këtij kalorësi të vonuar ringjalljen politike. Vetëm ky Don Kishot ka pasur motivin e mjaftueshëm dhe absurditetin e papërfillshëm për të bërë një projekt kaq madhor pa leverdi ekonomike tash për tash. Mirëpo, investimet ekonomike nuk arsyetohen gjithmonë vetëm nga kalkulimet e përfitimeve ekonomike. Në këtë rast kemi të bëjmë me investime strategjike, kombëtare e shtetërore të shtetit bërthamë të shqiptarëve. Në të vërtetë është një detyrim historik me perspektivë. Nuk ka asnjë dyshim se Rrugën e Kombit ka mund të bëjë vetën një politikan jonormal, siç ka qenë gjithmonë Sali Berisha. Dhe mbase ky projekt është njëri prej jonormaliteteve të pakta që do ti ofrojë atij një Fron Nderi në Tryezën e Krerëve të Kombit Shqiptar. Por, për ironinë e vet atij, ai duhet të përshëndet prej politikës mu për shkak se shoqërisë dhe shtetit shqiptar më në fund i duhen njerëz normal dhe politika normale shqiptare.

I dashur vëlla,

Nuk kam asnjë dyshim se vetë komunikimi ynë është jo i zakonshëm. Madje dua të them arkaik, për të mos thënë i tejkaluar. Për këtë jam i bindur. Por, në anën tjetër, kam dhimbje të madhe dhe nuk mund të më ndalojë vjetërsimi i vetvetes, pa ti thënë disa fjalë; mirë e keq.

Ardhja jote në krye të shtetit bërthamë shqiptar është një sfidë e vërtetë dhe një shans historik për kthimin e shqiptarëve në një shoqëri dhe shtet normal. Duke pasur besim në mundësinë që ti ke, mbi të gjitha në shpirtin tënd prej artisti e jo prej politikani, më lejo ti them disa këshilla.

E para, paraqituni normal në skenën politike, pa britma, me kulturë politike në të gjitha rrethanat e mundshme, e edhe atëherë kur do të jesh i ballafaquar me njerëz të pamundur të politikës që thjesht kanë nevojë për ndihmë;

E dyta, nuk mund të fillosh qeverisjen e Shqipërisë me konceptet e vjetër të Partisë Socialiste. Ajo, e vjetra, nuk ka më kohë politike;

E treta, me shembullin personal, duhet të hapni perspektivën e komunikimit normal në politikën shqiptare, fillimisht brenda subjektit tënd politik e më pas edhe më të tjerë. Me marrjen e pushtetit do ta kesh këtë fuqi për ta bërë. Mos lejo kurrë më daljen e zëdhënësve (sa tragjike kur ato janë Dama) militantë të tipit stalinistë për ti kërcënuar dhe tallur shqiptarët, për të vrarë e për të prerë konkurrentë politikë;

E katërta, ofroje shembullin personal për të dëgjuar me kujdes dhe deri në fund konkurrentin dhe kundërshtarin politik, qytetarin dhe atë që ka nevojë;

E pesta, formësoje me kuptim pushtetin dhe dëshmo se nuk është asgjë e veçantë ta kesh atë. Përkundrazi është përgjegjësi e madhe dhe detyrë e rëndë njerëzore, qytetare e kushtetuese;

E gjashta, institucionalizoje përfundimisht shenjtërinë e votës së lirë dhe dëshmo botërisht se edhe shqiptarët mund të mbajnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe pa frikë. Jemi të fundit në Europë bashkë me Kosovën, që nuk po mund të dëshmojnë njerëzi për të mbajtur zgjedhje të lira (të mos ketë më kurrë nevojë që pasardhësi yt të shpallë fitore zgjedhore ende pa i numëruar votat, sikurse nuk duhet të krijohen më kurrë rrethanat që një partner i koalicionit të deklarojë në mënyrë arbitrare kush mund e kush nuk mund të jetë kryeministër);

E shtata, dëshmo më në fund funksionalizim e shtetit demokratik shqiptar në shërbim të qytetarit (Mos u mashtro për të marrë prej pushtetit se nuk merr asgjë me vete prej tij. Në këtë jetë mund të marrësh edhe me vete vetëm duke u dhënë të tjerëve jo duke u marrë; aq më pak prej shtetit nëpërmjet pushtetit);

E teta, dëshmo funksionalizim të parlamentit shqiptar dhe ofro shembull personal të një komunikimi normal të njeri tjetrit në Kuvendin e Shqipërisë pa dallime partiake e përkatësi tjera. Shqiptarët kanë nevojë më shumë sesa për kapital, për normalitet politik;

E nënta, dëshmo funksionalizimin e organeve të drejtësisë, dëshmo pavarësinë e tyre të plotë; dëshmo garantimin e fjalës së lirë, të thënë e të shkruar, dëshmo ekzistencën e mirëfilltë të shoqërisë civile, mendimin ndryshe; dëshmo pavarësinë e institucioneve të pavarura të shtetit;

E dhjeta, vetëm pasi ti kesh garantuar njerëzve dhe proceseve në nivel vendi një trajtim të tillë njerëzor, ligjor e kushtetues dhe të aspekteve tjera që nuk janë thënë në këtë shkresë, vetëm atëherë e ke shansin për ta funksionalizuar ekzekutivin e vendit në shërbim të qytetarit, zhvillimin dhe perspektivën e tij europiane. Ky rrugëtim e sjell integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj kur e keni bërë Tiranën në një kohë që ishte thjesht një mision i pamundur, përse nuk do ta bëni sot Shqipërinë Europiane!?

I dashur vëlla,

Ky është shansi yt, fati yt i mirë. Dhe Salihu kishte të drejtë kur thoshte se ai kishte lindur me këmishë. Por që këmisha e tij të marrë kuptim duhet që ju ta normalizoni Shqipërinë tonë. Kosova nuk ka atdhe tjetër pos Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët nuk kanë atdhe tjetër pos Shqipërisë. Ata mund ti kenë edhe tre shtete në Ballkan, por ata nuk harrojnë se kanë vetëm një Shqipëri. Ajo është ëndrra e tyre, perspektiva. Prandaj bëje atë normale në kuptimin politik të fjalës dhe të mos jetë më e fundit në Ballkanin Perëndimor. Unë nuk dua të të jap mend nga Kosova. Të kam shkruar në vazhdën e konceptit për një Rilindje shqiptare. Nuk më pengon pavarësisht se me bindje personalisht jam djathtist. E duam Shqipërinë, si do që të jetë ajo.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›