E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, gërryerja e pandalshme e një bastioni

Redan Bushati / Qytetar

Që PD-ja e ka Shkodrën bastion të sajin, kjo nuk vlen për diskutim. PD-ja lufton me shpirt ndër dhëmbë për 6-7 mandate; 8 nuk i merr sikur Taraboshi të bashkohet me Rozafën. Vetëm nëse një nga katër kryesuesit e listës së PS-së dhe dy kryesuesit e listës së LSI-së kanë bërë aleancë me PD!!! Intrigë tjetër s’ka. PS-ja, 3-4 mandate i ka thuajse si trëndafil në xhepin e redingotës së saj. Nëse LSI-ja merr nga “ena e majtë”, atëherë PS-ja do të tkurret në 3 mandate për t’i lënë një LSI-së. Në rastin më të mirë për të majtën: PD merr 5, PS 5 dhe LSI 1. Thjesht rast hipotetik, pak i ngjarë të ndodhë, kur sërish procesi zgjedhor pritet të ketë problemet e së shkuarës. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, PD-ja po investon fuqishëm në organizimet e takimeve të saj; po punon me militantët në zgjerimin e hartës së mbështetësve dhe po përpilon çdo gjë me saktësi: me komisionerë, vëzhgues, shoqërues të njerëzve deri në QV-të përkatëse dhe natyrisht me njerëz të inkriminuar për t’i hedhur në terren ditën e votimit. Me këta të fundit, kryesisht në zonat rurale, atje ku problemet kanë qenë të vazhdueshme. Partisë Socialiste i duhen atypari 3300 vota për të marrë mandatin e pestë. Teorikisht nuk duket e pamundur, pasi bashkimi me LSI-në e favorizon diçka të tillë. Mirëpo, sa siguri ka që PS-ja të ruajë sasinë e votave të 2009-ës dhe që PD-ja të qëndrojë në të njëjtat kuota apo të bjerë më poshtë? LSI-ja nga ana e saj, nën përpjekjet disavjeçare, ka ndërtuar një strukturë të atillë në Shkodër, ku dita-ditës po formëson një grup jo pak të ndjeshëm përkrahësish. Sidoqoftë, goxha vota do të shkojnë në “arkën” e PS-së. FRD, ndonëse po zhvillon një fushatë të thjeshtë, larg vëmendjes mediatike, po bisedon kokë më kokë me njerëzit. Pjesa më e madhe e votave të kësaj partie do të vijnë nga radhët e qytetit: nga shtresat e ishpronarëve, ish-të përndjekurve dhe intelektualëve. Pjesa dërrmuese e votave të FRD-së, mbi 80% e tyre, janë vota të djathta, pra nga ata që kanë votuar sistematikisht spektrin e djathtë, veçanërisht PD-në. AKZ-ja dhe PR-ja janë dy parti që, pavarësisht se nuk po kalojnë në “sitën” e analistëve, pritet të vjelin ca qindra e mijëra vota. AKZ me Bledar Metin, i cili vjen nga jashtë, kërkon të bëjë risinë, në një mjedis deri diku të ngurtë. AKZ-ja thith vota nga të pakënaqurit ndaj dy partive kryesore dhe nga radhët e rinisë. Në krahun tjetër, PR-ja merr vota më shumë në zonat e Mbishkodrës, pasi tek qytetaria shanset janë më të pakta.

Rezultati i pritshëm

Siç e thashë edhe në krye, Partia Demokratike do të dalë me shumë gjasa forcë e parë, pasi Jozefina Topalli ka shpenzuar energji të shumta, duke qenë pranë çdo lloj organizimi e duke marrë mbi supe fatin e këtij qarku. Kësaj here i duhet të bindë edhe Sali Berishën se ajo është një lojtare e rëndësishme. Te PS-ja epiqendra e suksesit, apo dështimit është Tom Doshi. Ai ka marrë përsipër, në një mënyrë që mua më duket e çuditshme e surprizuese, për të udhëhequr PS-në drejt një rezultati të papërfytyrueshëm. Në 2011- ën, në zgjedhjet lokale, ai arriti të ketë një rol faktorizues. Mirëpo, Topalli kësaj here është mobilizuar aq shumë sa e ka të vështirë të lejojë një tkurrje tjetër të votës së djathtë. Sipas meje PS merr katër mandate. Të pestin mund ta sigurojë përveç të tjerash edhe përmes mbrojtjes së hekurt të votës e menaxhimit me sukses të listave zgjedhore, që këto ditët e fundit kanë dalë me jo pak probleme. Nëse PS-ja arrin mandatin e pestë, atëherë ky do të ishte fundi i Jozefina Topallit dhe shpërthimi i një ylli në të majtën shqiptare. Pas LSI-së, më e votuar mund të vijë FRD-ja, PR-ja dhe AKZ-ja. LSI-ja majtas dhe FRD-ja djathtas, mund të ulin apo ngrenë balancat zgjedhore në këtë qark. Rritja e votave për të dyja forcat do ta sfiliste PD-në.

“Luftë” e egër për dy mandate

Qarku i Shkodrës ka 11 mandate nga 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë. Kandidatët që e kanë mandatin të sigurt janë: Jozefina Topalli, Helidon Bushati, Voltana Ademi, Nard Ndoka e Gjovalin Bzhetaj nga PD-ja dhe Mimoza Hafizi, Tom Doshi e Paulin Sterkaj nga PS-ja. Për PD-në, Ndue Paluca ka shanse të mëdha për t’iu bashkangjitur listës së fitores, ndërsa Fatbardh Spahia është në tehun e thikës. Sakaq, dy deputetët e kësaj legjislature, Gjok Uldedaj dhe Ramiz Çobaj, do të mbesin jashtë. Nëse LSI-ja nuk arrin të marrë mandatin përmes biznesmenit Agron Çela, por grumbullon mbi 3500 vota, atëherë Namik Kopliku (automatikisht) dhe Sait Fishta do të jenë të mandatuarit e PS-së, duke lënë jashtë Bardh Spahinë. Ndërkohë fitoren synon edhe Fatlum Nurja, teksa pretendon të marrë vota nga qyteti dhe pjesën tjetër nga Kopliku me anë të biznesmenit Vasel Muçaj, njëkohësisht kryetar i kësaj force në Malësinë e Madhe, si dhe në Pukë nga ku kandidon Astrit Kuçi, njëherazi kreu i FRD-së për degën Pukë. Pra, mandatet mund të ndahen në 7:4 ose 6:5, pa përjashtuar edhe ndonjë “surprizë” të minutave të fundit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›