E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra, hap siparin e Festivalit Ndërkombëtar Koral

SHKODER- Festivali Ndërkombëtar Koral, ka ngritur mbrëmë siparin në qytetin e Shkodrës. Ky është edicioni i pestë i tij. Fshati i Paqes, një mjedis piktoresk rrëzë malit të Taraboshit dhe liqenit të Shkodrës që administrohet nga famullia “Shën Shtjefni” e qytetit të Shkodrës ka qënë mikpritësi i tre trupave të para konkuruese. Në një skenë të improvizuar dhe përballë një publiku të zgjedhur, bënë prezantimin grupet pjesëmarrëse.

Ansambli artistik i ardhur nga Izraeli, “Naama ensemble”, dhuroi emocionet e para të këtij festivali. Për t’u theksuar është fakti, se krahas këngëve tradicionale izraelite, ka qënë interpretimi në mënyrën më të mirë i këngës shkodrane, “Lule Borë”, e cila është shoqëruar me duatrokitje të shumta nga publiku i pranishëm. Në vijim ka qënë grupi koral “Fortuna Jenska Kllapa ensemble” i Dubrovnikut të Kroacicë, në repertorin e të cilit kryesisht bënin pjesë këngë me motive dashurie, ndërkohë që grupi italian përfaqësohej kryesisht nga artistët e zonës së Leçes “Coro polifonico feminille del Conaervatario di Lecce”.

Besim Petrela, drejtues i shoqatës kulturore “Syri Blu”, e cila prej pesë vitesh organizon Festivalin Koral Europian të Shqipërisë, tha per ATSH-në se, grupi organizator vendosi ta nise nga Shkodra si një qytet tipik i kulturës, pasi këtu është edhe tradita korale më e mirë, që së bashku me atë të Korçës, janë më të mirat në Shqipëri. Më pas, festivali do të vijojë prezantimin e tij në qytetet e Lezhës, Fierit dhe Beratit. “Përqëndrimi i këtij festivali është kryesisht i temës së harmonisë religjoze në Shqipëri. Pra, për këtë ne kemi ftuar një kor nga Izraeli me muzikë hebre, një kor nga Kroacia me muzikë tradicionale kroate katolike, një kor nga Itali me muzikë natyrisht katolike, një kor nga Greqia me muzikë bizantine”, tha Petrela. Sipas tij, pjesë e këtij festivali janë edhe dy kore të tjera nga Shqipëria, me të rinjtë e Tiranës, si dhe kori “Zadeja”, i cili do të këndojë edhe këngë të ritit mysliman.

Petrela tha se, festivalet korale nuk janë konkurs në vetvete, por ndihmojnë dhe kanë synimin e paqes midis kombeve.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›