Shkodra ngjyroset mavi. Topalli merr 30 vota më shumë në lagjen e saj
Shkodër- Shkodra është një nga surprizat shokuese të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës ku Partia Socialiste ashtu si edhe në disa qarqe të tjera që nuk pritej, ka ngjyrosur këtë qytet me ngjyrën mavi të rilindjes.
Deri në orën 09:15, rezultatet tregojnë se kur janë numëruar 324 kuti, koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka marrë 51604 vota, ndërsa koalicioni Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim ka arritur të marrë 43704 vota.
Nga kalkulimet e të dhënave, kryesuesja e listës së PD-së në këtë qark, Jozefina Topalli, në lagjen e saj Tre heronjtë, ka marrë vetëm 30 vota më shumë se PS-ja.
E për herë të parë pas 23 vitesh me këtë rezultat në Shkodër, Partia Demokratike ka heshtur për këtë humbje, por ajo që mësohet është se kandidatët e PD-së kanë zgjedhur të flasin kur numërimi të përfundoje tërësisht.
Gjatë gjithë ditës të djeshme nuk ka pasur asnjë dalje publike të kryetares së parlamentit dhe njëkohësisht kryesueses së listës së PD-së në qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli. Në qarkun e Shkodrës PD ka marrë 5 mandate, PS 5 dhe 1 mandat LSI.