E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, plot probleme në prag të sezonit turistik

 

Mungesë energjie, uji, rrugë të prishura dhe probleme me pastërtinë në zonat turistike

SHKODËR- Furnizimi me energji elektrike të pandërprerë gjatë sezonit turistik, infrastruktura rrugore që paraqet probleme në mjaft zona, mbulimi me shërbim shëndetësor i zonave turistike, mungesa e guidave promovuese të turizmit dhe mungesa e sinjalistikës rrugore janë disa nga problemet me të cilat ndeshet turizmi në Shkodër. Probleme që janë debatuar dje gjatë një takimi në Prefekturë mes specialistëve dhe operatorëve turistikë. Përfaqësues të KESH-it kanë garantuar furnizim me energji elektrike 24 orë gjatë sezonit turistik për plazhin e Velipojës, por kjo kushtëzohet nga vendosja e një transformatori shtesë në nënstacionin Shkodra 2, me kapacitet 7.5 mega. "Në të kundërt, plazhi do të ketë energji elektrike por do të jenë banorët e Trushit, Dajçit, Zuesit etj që do kenë kufizime"-, ka theksuar përfaqësuesi i KESH-it, Admir Golemi. Për plazhin e Velipojës, janë marrë masa për zëvendësim linjash përcjellëse të dëmtuara në aksin Berdicë- Velipojë. Në pikën turistike të Razmës, janë dy kabina elektrike, por ka probleme në rrjetin e tensionit të ulët, dhe për këtë do bëhen riparime në fidrin përkatës.

***

Për kryetarin e komunës Shkrel, Fredi Sterkaj, i cili ka në territorin e tij dy pika turistike, atë të Razmës dhe të Bogës, problemet nuk mungojnë. Sipas tij, duhet ndërhyrë në bankinat e rrugës Koplik-Dedaj, pasi po dëmtohet dhe asfalti i shtruar para tre vitesh. Akset rrugore që të çojnë drejt këtyre dy pikave turistike nuk kanë fare sinjalistikë rrugore, energjia elektrike është mjaft e dobët ndaj sipas tij, duhen marrë masa. Një tjetër problem i shtruar nga Sterkaj ishte dhe ai i mungesës së shërbimeve të policisë, ndërsa për ujin e pijshëm, mos kalimi i ujësjellësit në pronësi të komunës ka bërë që ai të mos funksionojë thuajse fare. Gjatë diskutimeve është kërkuar t'i jepet rëndësi përmirësimit të infrastrukturës rrugore duke bërë mbyllje gropash e zgjerim rruge aty ku është e mundur, si në afërsi të pikëkalimit kufitar të Muriqanit, nga ku hyjnë dhe mjaft turistë të huaj.

***

Pavarësisht kërkesës për punime nëpër rrugë, përgjigja ka ardhur e prerë. Sipas drejtorit rajonal të rrugëve, Tom Arra, nuk ka fonde për të bërë këto punime, por kërkesat janë bërë dhe u është thënë se do ketë fonde shtesë, por pa caktuar afate. Lidhur me mungesën e theksuar të sinjalistikës vertikale e horizontale është theksuar se fondet për këto i lëvron drejtoria e përgjithshme në Tiranë dhe se dy herë ka dështuar tenderi kombëtar për pajisjen me sinjalistikë të rrugëve të vendin tonë. Operatorët turistikë kryesorë që veprojnë në Shkodër kanë ngritur zërin ndaj papastërtive në zonat muzeale që janë të vizitueshme nga klientët, si kalaja e Rozafës, Ura e Mesit, rruga drejt Shirokës, rruga tek muzeu etj. Ky shqetësim i tyre është mbështetur dhe nga kryetari i këshillit të qarkut, Gjovalin Kolombi dhe drejtori i Parkut Arkeologjik, Agim Halluni. Ky i fundit ka ngritur dhe shqetësimin e rikonstruksionit të rrugës drejt kalasë dhe ndalimit aty të guidave mësimore për autoshkollat. Shkodra ka resurse turistike të shumta që çdo vit tërheqin mjaft të huaj e shqiptarë si plazhet e Velipojës, Shirokës, Zogajt e miniplazhet pranë lumenjve Buna, Drin, Kir, apo liqeneve të hidrocentraleve, pikatturistike malore të Razmës, Thethit, Bogës, Vermoshit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›