Lushnje, mbi 20 divorce në një javë
Avokatët: Asnjëherë, më shumë zgjidhje martese se këtë vit. Fenomeni shqetësues
Lushnje-Zgjidhjet martesore kanë shënuar rritje të ndjeshme në rrethin e Lushnjes. Sipas burimeve nga gjykata mësohet se muajt e fundit ka pasur shumë procese gjyqësore ku partnerët janë vënë përballë njëri-tjetrit me kërkesën e vetme për zgjidhje martesore. Kulmi është shënuar këtë javë, ku janë regjistruar 22 divorce brenda një jave, që do të thotë çdo ditë të javës janë protokolluar mbi 5 shkurorëzime. Mësohet se shkaqet e zgjidhjes së martesës kanë qenë nga më të ndryshmet, që nga problemet e deri tek akuzat e ngritura nga vetë partnerët. "Eshtë për të ardhur keq që ndodhemi përballënjë fakti të tillë. Zgjidhjet martesore janë të shumta dhe për fat të keq, askush nuk po merret për të parandaluar fenomenin që është vërtet i jashtëzakonshëm. Kam bërë kujdes që të mundohem të frenoj disi dukurinë, por është e pamundur. Kaq shumë shkurorëzime nuk ka pasur në asnjë kohë në Lushnje",- thotë avokat, Kozma Jano, duke përmendur mes shkaqeve edhe nivelin e ulët kulturor dhe arsimor të çifteve. Kjo, sipas tij ka ndikuar negativisht në ndërtimin e një jete normale në familje dhe për pasojë nuk kanë munguar mosmarrëveshjet, të cilat kanë përfunduar në zënka dhe pastaj në prishjen e familjes. Të dhënat statistikore që kanë gjendjet civile tregojnë se shkurorëzimet u përkasin moshave afërsisht 25-30 vjeç dhe kanë si shkak largimin për një kohë të gjatë në emigracion të njërit prej partnerëve. Negativisht, sipas tij ka ndikuar edhe niveli i ulët ekonomik në familje dhe si pasojë nuk kanë munguar kërkesat dhe ankesat duke fajësuar njëri-tjetrin për situatën e krizës së krijuar në shtëpi. Keqtrajtimi i gruas, dhunimi i të drejtave të saj, mentaliteti për shkak të traditës janë të tjera arsye që kanë shtuar numrin e divorceve.