Shkodra rëndohet nën ujë, 4500 hektarë të përmbytur

Shkodra vijon të jetë në situatë problematike për shkak të përmbytjeve. Sot sipërfaqja e tokës së përmbytur ka shkuar ne 4500 ha dhe shtëpitë e izoluara janë shtuar në 270, ndërkohë që vazhdon të jetë e njëjta situata bllokuese e qarkullimit rrugor në akset rrugore që lidhin Obotin, Dajçin dhe Velipojën me qytetin e Shkodrës.
Sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore janë të mbuluara nga uji, qindra shtëpi banimi të izoluara, disa akse rrugore kryesore që shërbejnë për komunikimin e fshatrave dhe komunave me qytetin e Shkodrës dhe më gjerë, janë të bllokuara, ndërkohë që ka vështirësi në sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë.
Burime në këtë qark i thanë NOA.al se, zona e Nënshkodrës mbetet më problematike, ku ndonëse nuk ka rënë shi këto orët e fundit sasia e ujit të pranishëm është e madhe. Komunat Berdicë, Dajç i Bregut të Bunës, Ana e Malit, si dhe lagjet periferike të qytetit të Shkodrës kanë pësuar rritje të nivelit të ujit.
Specialistët e emergjencës në prefekturë thonë se, shkak për përkeqësimin e situatës janë prurjet e mëdha që vazhdojnë të vijnë nga liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, që prej dy-tre ditësh shkarkojnë në periudha në ndryshme kohore sasi të mëdha uji.
Një ndikim të madh në përkeqësimin e situatës ka dhënë edhe fryrja e liqenit të Shkodrës, rritja e nivelit të të cilit ka bërë që lagjet periferike të qytetit, pedonalja pranë Urës së vjetër të Bunës dhe aksi rrugor Shkodër-Shirokë, të jenë të përmbytura./Indeksonline/